Postuar më: 15 Maj 2017

Takimi i pestë i Këshillit Kombëtar për aftësinë e kufizuar

U mbajt sot Takimi i pestë I Këshillit Kombëtar për Aftësinë e Kufizuar.

Ministrja Xhaçka: Në një hark kohor prej 2 vitesh e gjysëm, pesë takime të këtij Këshilli.

Ministrja Xhaçka: Deri në fund të 2016, 101 të punësuar PAK nëpërmjet programeve të posaçme të punësimit për PAK              në zyrat e punës.

Ministrja Xhaçka: Në raport me një vit më parë, shifra e punëmarrësve të kategorisë PAK, rezulton 2 herë më i lartë.                        

Ministrja Xhaçka: Gjatë vitit 2016 janë trajnuar falas 60 persona me aftësi të kufizuar në qendrat publike të formimit profesional në profesione të ndryshme.                       

Ministrja Xhaçka: Nëpërmjet granteve të financuara në 10 bashki të vendit kanë përfituar 35 familje që kanë persona me aftësi të kufizuar.                       

Ministrja Xhaçka: Gjatë vitit të kaluar inaguruam ambjentet e reja të rikonstruktuara në dy institucione shumë të rëndësishme ku arsimohen fëmijë me aftësi të kufizuara.

Ministrja Xhaçka: Ka ende persona me aftësi të kufizuar që përballen me barriera aksesueshmërie dhe shërbimesh.

Fjala e plotë e Ministres Xhaçka:

Të nderuar Anëtarë të Këshillit Kombëtar për Aftësinë e Kufizuar,

Në Olimpiadën e Aftësive, njoha Stelën, një programuese nga Shkolla Industriale “Pavarsia” në Vlorë. Buzëqeshja dhe energjia e saj ishin ngjitëse, jo vetëm për mua, por edhe për gjithë të pranishmit. Ju do thoni pse po e përmend këtu? Sepse gjëja e fundit që vihej re tek Stela nga unë, apo shoqëria e saj, apo kushdo tjetër rreth saj, ishte fakti që ishte në një karrige me rrota.

Pamundësia për të ecur nuk përbënte asnjë barrierë për Stelën për tu shkolluar dhe për të ëndërruar një të ardhme si të gjithë bashkëmoshatarët e saj. Ky është pikërisht dhe shembulli që ne si politikëbërës duhet të ndjekim për Shqipërinë që duam. Shqipërinë pa barriera fizike dhe institutionale për çdo person me aftësi të kufizuara që ai të realizojë potencialin e tij, të përparojë si të gjithë bashkëmoshatarët e tij, të punësohet dhe të integrohet në shoqëri.

Duke ju falenderuar për pjesëmarrjen në takimin e pestë të këtij Këshilli, dëshiroj të them se ndihem e nderuar të kryesoj këtë forum , ku të gjithë antarët, e veçanërisht përfaqsuesit e organizatave dhe të grupeve të interesit japin kontributin e tyre të çmuar për te çuar përpara kauzën tonë të përbashkët në përmirësimin e jetesës së Personave me Aftësi të Kufizuar.

Jo pa qëllim e zhvillojmë sot këtë takim në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit duke e konsideruar arsimin si një nga sektorët më të rëndësishëm me një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e personave me aftësi të kufizuar e sidomos të brezave të ardhshëm. Besoj se është për tu përshëndetur fakti që në një periudhë prej 2 vite e gjysëm janë organizuar 5 takime të këtij Këshilli duke respektuar në këtë mënyrë jo vetëm zbatimin e ligjit, por në rradhë të parë dëgjimin e zërit të grupeve të interesit të cilët janë ata që ndjejnë më mirë se kushdo se ç’farë efekti kanë politikat që ne hartojmë e zbatojmë, në jetën e tyre të përditshme. Personalisht, e konsideroj këtë Këshill si mundësinë më të mirë të  bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile e grupeve të interesit me qëllim orientimin sa më efikas, të politikave që lidhen me sigurimin e përfshirjes dhe aksesueshmërisë për PAK.

Për rreth 6 javë, që nga dita që kam marrë detyrën si Ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, kam bërë takime me disa nga organizatat e aftësisë së kufizuar ku jam njohur me situatën e grupeve të ndryshme dhe problematikat që ata kanë. Duke qenë se çështjet e aftësisë së kufizuar janë ndërsektoriale jam munduar të adresoj problematikat në ministritë respektive dhe do të kërkoja nga kolegët e ministrive ti trajtojnë menjëherë këto problematika, duke ofruar zgjidhje të menjëhershme dhe afatgjata në zbatim të ligjit.

Jam njohur me legjislacionin e ri të aftësisë së kufizuar por edhe me reformat që po ndërmerren si në kuadër të vlerësimit bashkëkohor të aftësisë së kufizuar ashtu edhe të shërbimeve të duhura që duhet të ofrohen dhe rritjes së aksesueshmërisë në këto shërbime. Në detyrimin që kemi për zbatimin e Konventës “Për mbrojtjen e të drejtave të PAK” në vendin tonë, mendoj se duhet të përpiqemi të gjithë, duke filluar që nga institucioni më i lartë vendimarrës siç është Kuvendi i Shqipërisë e deri tek nënpunësi më i thjeshtë i administratës publike, ti trajtojmë çështjet e aftësisë së kufizuar duke pasur në mendje dhe si qëllim final njerëz si Stela dhe histori në të cilat personat me aftësi të kufizuar janë të integraur totalisht në komunitet sepse kështu e mendojmë të gjithë bashkë, së bashku dhe me to.

Duke ju referuar fushës së veprimtarisë ku Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë operon , do doja të sillja në vëmendje disa momente kryesore të punës që ka bërë  ky institucion dhe të disa rezultateve pozitive të arritura gjatë vitit 2016, jo për tu mburrur me atë ç’ka kemi bërë sepse kjo është detyra jonë, por për të kuptuar se po mundohemi të hedhim baza të forta e të qëndrueshme në trajtimin e aftësisë së kufizuar, edhe pse jemi të ndërgjegjshëm që buxhetet janë akoma të pamjaftueshme e për pasojë politikat nuk arrijnë të japin atë rezultat që ne duam.

Në kuadër të integrimit dhe përfshirjes sociale, por edhe për shkak të rritjes së kërkesave për punësim nga PAK, në zyrat e punësimit,  një program i posaçëm për nxitjen e punësimit të PAK i miratuar nga Qeveria në vitin 2014 ka filluar të japë efektet e veta. Që nga momenti që programi filloi të zbatohet deri në fund të vitit 2016 janë punësuar 101 PAK në subjekte të ndryshme, kryesisht të moshave deri në 40 vjeç dhe me arsim të mesëm. Në raport me një vit më parë, shifra e punëmarrësve të kategorisë PAK, rezulton 2 herë më i lartë. Gjithashtu nga statistikat e inspektimeve të kryera në subjektet ekonomike janë evidentuar 125 punëmarrës me aftësi të kufizuar ku 42.4% janë femra. Sigurisht, do të donim që kjo shifër të ishte shumë më e madhe pasi jemi të bindur që punësimi jo vetëm përmirëson statusin ekonomik të PAK, por do ta shndërronte këtë grupim në një potencial të vërtetë për shoqërinë shqiptare.

Zbatimi Ligji “Për ndërmarrjet sociale në Republikën e Shqipërisë” i këtij ligji i cili ka si qëllim të rregullojë veprimtarinë e ndërmarrjeve sociale, me qëllim mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të grupeve vulnerabël, do të bëjë të mundur përfshirjen në punësim edhe për PAK.

Besoj shumë, se arsimi dhe formimi professional do të ishte një alternativë e shkëlqyer për të rinjtë me aftësi të kufizuar, me qëllim që ata të bëhen të aftë për tu integruar në tregun e punës. Gjatë vitit 2016 janë trajnuar falas 60 persona me aftësi të kufizuar në qendrat publike të formimit profesional në profesione të ndryshme.

Gjatë vitit të kaluar inaguruam ambjentet e reja të rikonstruktuara në dy institucione shumë të rëndësishme ku arsimohen fëmijë me aftësi të kufizuara. Gjithashtu në sajë të ndërtimit të studios së re për inçizimin e librave në audio,  biblioteka e kësaj shkolle shumë shpejt do të pasurohet me një gamë të gjerë librash. Jam e bindur se këto investime jo vetëm kanë lehtësuar fëmijët për përvetësimin e dijeve por shumë shpejt do të krijojnë kushte për realizimin e objektivit tonë që këto shkolla të shëndrrohen në qendra burimore.  

Gjatë vitit 2016 , u ndërtua Regjistri Elektronik i aftësisë së kufizuar dhe arkiva Elektronike , i cili po vazhdon të plotësohet me të dhënat e duhura.

Për situatën në të cilën jetojnë PAK, një rëndësi të madhe ka përmirësimi i gjëndjes së tyre të strehimit.

Informacioni që vjen nga MZHU, tregon se nëpërmjet granteve të financuara në 10 bashki të vendit kanë përfituar 35 familje që kanë persona me aftësi të kufizuar.

Gjatë vitit 2016 u institucionalizua jo vetëm rrjeti i pikave fokale në nivel qëndror por edhe rrjeti kombëtar i nënpunësve të përcaktuar në 61 bashkitë e reja. Në tremujorin e fundit të vitit 2016, filluan trajnimet për të gjithë punonjësit me qëllim pajisjen me konceptet bashkëkohore të aftësisë së kufizuar.

Në përfundim, dua të theksoj se pavarësisht nga hapat pozitivë që përmenda, jemi të ndërgjegjshëm që kemi akoma shumë për të bërë, për të realizuar përfshirjen dhe integrimin e plotë të PAK në jetën ekonomike, sociale dhe politike të vendit. Ka ende fëmijë më aftësi të kufizuara që nuk ndjekin dot shkollën; ka ende PAK që përballen me barriera të ndryshme në aksesimin e shërbimeve, e këtu dua të përmend një nga kategoritë më pak të mbështetura që janë personat me aftësi të kufizuara mendore dhe intelektuale, të cilët kanë nevojë për shumë më tepër shërbime apo edhe shërbime të reja që akoma nuk ekzistojnë.

Gjithashtu dua t’ju siguroj se Qeveria është e vendosur që zbatimi i politikave mbështetëse dhe integruese për këtë grupim, të marrë një vend të rëndësishëm në axhendën politike të 4 viteve të ardhshme. Sot shteti shqiptar edhe pse ndodhet përpara sfidave të mëdha, është i qartë dhe i vendosur që politikat dhe shërbimet ndaj personave me aftësi të kufizuar të mos trajtohen si keqardhje dhe mëshirë, por si respektim dhe përmbushje e të drejtave të njeriut.

Një shoqëri gjykohet se si i trajton ato që kanë më pak mundësi, prandaj unë do doja të kujtoja të gjithë se mundësitë janë relative dhe askush nga ne nuk është i gjithëmundur apo i gjithëpushtetshëm. Ne si qeveri kemi një detyrim që të ofrojmë kushte ku secili qytetar të gëzojë mirëqënien e saj apo të tij dhe detyrimi jonë si qeveri përmbushet ndaj të gjithë qytetarëve njëlloj, pa dallim diskriminimi të asnjë baze.