Postuar më: 29 Mars 2017

5000 vënde pune nga mbi 80 kompani në Panairin e Punës 2017

Të nderuar sipërmarres, pjesëmarrës në panair,

Kam kënaqësinë e veçantë të çel këtë panair të punës në ditët e para të detyrës si drejtuese e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Jam veçanërisht e kënaqur, që ky panair sot krijon mundësinë dhe dëshmon një pohim tonin. Dëshmon faktikisht se në Shqipëri ka punë!

 

Më vjen veçanërisht mirë, që sot dëshmoj me krenari, një histori suksesi përsa i përket poltikave të punësimit. Prej 3 vitesh, panairi i punës ka krijuar një histori të vetën, me të rinj që kualifikohen me dëshirë për të qenë pjesë e tregut të punës, me profesionistë në shkollat profesionale, që me shumë përkushtim po i japim një emër gjithnjë e më të mirë tregut në të ardhmen, me bashkëpunëtorë dhe partnerë që kanë përqendruar vëmendjen tek e nesërmja e një Shqipërie që punon, e një vendi që prodhon me standarde.

Punësimi, është një nga argumentet më të përfolura prej vitesh, jo vetëm si një nevojë e çdonjërit prej nesh, por edhe si nevojë kryesore e një shoqërie që do të ecë përpara.

Ne të gjithë punojmë fort për të fituar jetesën, për të ecur përpara dhe për të qenë në gjendje ti japim familjes çdo gjë që është e nevojshme. Ndaj sot, kam një mesazh për të gjithë ata që zgjohen në mëngjes me dëshirën për të punuar, me dëshirën për të kërkuar një punë, më dëshirën për tu ndjerë të vlefshëm për familjet e tyre dhe për shoqërinë: -Pavarësisht, kanë punë të vështirë apo të lehtë, apo nëse iu duhet të kërkojnë dhe presin me durim për të gjetur një punë, meritojnë mirënjohjen time, të Qeverisë dhe të gjithëve në çdo ditë.

 

Pushtet qendror e lokal, Partnerët si universitetet, shoqëria civile, organizatat dhe kompanitë duhet të funskionojnë si organe të një organizmi të vetëm, duhet ti shërbejnë njëri tjetrit, në mënyrë që të sigurohet forca e duhur e punës dhe puna e përshtatshme për to.

Qeveria Rama i ka dhënë një vëmendje të veçantë çështjes së punësimit dhe zhvillimit cilësor të tregut të punës dhe ky panair i punës sot, është një burim i rëndësishëm informacioni, për të kuptuar çfarë ndodh në tregun e punës duke kombinuar të gjithë faktorët dhe aktorët e tregut të punës; Biznesin si punëdhënësin më të madh, publikun e interesuar për punë, institucionet publike dhe private që ofrojnë shërbime punësimi, si edhe institucionet e arsimit e formimit profesional, që formojnë profesionistë të kërkuar në tregun e punës sot.

Panairi i këtij viti është vazhdimësi e panaireve të organizuara në vitet 2014, 2015, 2016, ku mijëra vizitorëve punëkërkues, ju krijua mundësia për intervista të drejtëpërdrejta pune, kryesisht me kompanitë e sistemit bankar, telekomunikacionit, shërbimeve, industrinë përpunuese, kompanitë e ndërtimit, agjensive private të punësimit, etj,. Janë me mijëra, rastet e suksesit të punësimeve të realizuara në panairet e viteve 2014-2016, gjë që na motivon të nxisim fuqimisht zbatimin e programit tonë për Punësimin dhe Aftësitë.

 

Rëndësinë e këtij aktiviteti, e tregon pjesëmarrja edhe këtë vit e mbi 80 kompanive, të cilat kanë deklaruar rreth 5.000 vende pune,  nga fusha të ndryshme, si në:

  • Telekomunikacione: Vodafone Albania, Telekom, Albtelekom; 
  • Sistemin bankar: Credins Bank, BKT, Banka Amerikane e Investimeve, Raiffeisen Albania, Procredit bank;  
  • Ndërtim: Albakonstruksion, Albstar, Gener2, Gjokakonstruksion, Inerti, Ergi, etj.;
  • Transport: KASTRATI group, Shega Trans, etj;
  • Shërbime: Teleperformanca, Albacall, Imedia, Parr;
  • Industrinë përpunuese: Fital, Picari, Euroasia;
  • Kompanitë e mëdha, si OSSHE, Balfin Group, Conad, Lajthiza, vijojnë të ofrojnë vende pune çdo vit, duke qenë pjesë e rëndësishme e panairit.
  • Investitorë të rëndësishëm, si  Spiecapag zbatuese e projektit TAP, AYEN, Limak, Urban Garden, etj., janë gjithashtu pjesë e panairit.
  • Kompanitë e industrisë përpunuese, si Fital, Picari, Meko-98 Cotex, Euroasia Footwear, vijnë me një numër të konsiderueshëm kërkesash për punësim.

 

E veçanta e këtij panairi, qendron tek synimi për ti mundësuar bizneseve, të demonstrojnë në këtë event, përveç mundësisë reale për punësim edhe nivelin e standardeve dhe teknologjive të tyre bashkëkohore.

 

Panairi në thelb, kërkon të vendosë marrëdhënie konkrete bashkëpunimi dhe komunikimi, midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës duke kombinuar të gjithë faktorët dhe aktorët e tregut të punës.

Shërbimi Kombëtar i Punësimit prezantohet në panair me  rezultate të rëndësishme në aktivitetin e tij  për vitin 2016: 

1.     Numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në Zyrat e Punës, në fund të vitit 2016, është ulur në 93 mijë, nga 151 mijë që ishte në fund të 2015. Kjo vjen,  si rezultat i mirëzbatimit të “Ligjit për punëkërkuesin”.  

2.     Numri i punëkërkuesve të papunë të punësuar gjatë vitit 2016 është 25 mijë, nga 20 mijë që ishte në vitin 2015, ose 3 mijë më shumë se planifikimi strategjik për këtë vit.

3.     Numri i ndërmarrjeve të kontaktuara ka arritur në 38 mijë, ose 5 mijë me shumë se në fund të vitit 2015.

4.     Numri i ofertave të punës ka arritur në rreth 40 mijë në 2016, nga 35 mijë që ishin në 2015. 

5.     Është realizuar  program i  nxitjes së punësimit, me një fond prej 490 milion lekë, ku  kanë përfituar 574 subjekte dhe 5,211 punëkërkues të papunë.

6.     Kanë marrë pjesë në një kurs formimi në qendrat tona publike dhe janë çertifikuar 17 mijë kursantë, ose një mijë më shumë se treguesi strategjik i planifikuar për këtë vit.  

7.     Janë dërguar në qendrat e formimit 13 mijë punëkërkues të papunë,  ose  një mijë më shumë se treguesi strategjik i planifikuar për vitin 2016.

8.     Është  realizuar fondi i investimeve në masën 98 për qind , një fond ky më i larti i të gjitha viteve. 

Pjesë e rëndësishme e prezantimit në këtë Panair, janë projektet në të cilat Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit janë në bashkëpunim, si projekti “ Skills for Employment” zhvilluar me UNDP dhe mbështetur nga Qeveria Zviceriane, projekti “Këshillim drejt punësimit” po mbështetur nga Swiss Cooperation, etj.

 

Në Panair prezantohet, Programi PME/DIMAK (Qendra Gjermane e Informacionit për Migrim, Arsim Profesional dhe Karrierë), i financuar nga Qeveria Gjermane dhe i zbatuar nga GIZ, si një nga programet e rëndësishme, pasi qendra e informacionit DIMAK, e instaluar në ambientet e Zyrës së Punës Tiranë, ofron së bashku me Zyrën e Punësimit Tiranë, informacione dhe këshillime në lidhje me tregun e punës në Shqipëri dhe migrimin e ligjshëm për në Gjermani.

Vend të rëndësishëm në prezantim, kanë dhe agjensitë private që operojnë në tregun e punës, Headhunter, Duapunë, Erca etj. Gjithashtu, pjesë e panairit janë edhe Qendrat Publike te Formimit Profesional, të cilat veprojnë në Tiranë dhe Durrës.

Në funksion të zhvillimit të ekonomisë shqiptare si dhe të tregut të punës, interesi i Qeverisë është të promovojë bizneset e konsoliduara e të standardeve bashkëkohore, si modele të këtij zhvillimi. Janë këto biznese, që sfidojnë papunësinë duke kontribuar në rritjen ekonomike të vendit.

Pritet ta vizitojnë këtë panair rreth 35.000 persona, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve, do të intervistohet drejtpërsëdrejti dhe do të kryejnë intervista pune direkt në këtë panair, duke siguruar punësim të drejtpërdrejtë apo seleksionim edhe pas panairit.

 

Priten të realizohen mbi 1.000 punësime të menjëhershme vetëm në ditët e panairit.

 

Grupet të cilët trajtohen me përparësi nga programet aktive të punësimit, janë të rinjtë që hyjnë për herë të parë në tregun e punës, gratë, romët, personat me aftësi të kufizuar, jetimët, emigrantët që kthehen në vend duke trashëguar probleme ekonomike, gratë kryefamiljare me fëmijë në ngarkim, vajzat nëna, apo viktima të dhunës dhe trafikimit etj.

Zyrat e punësimit, gjatë dy viteve të fundit janë riorganizuar dhe rikonceptuar sipas modeleve më të mira evropiane të shërbimeve të punësimit, model i cili është shtrirë tashmë në 14 zyra dhe shumë shpejt do të shtrihet në të gjitha zyrat e punësimit. Ofrimi i një shërbimi profesional e dinjitoz për të gjithë ata që aktivisht kërkojnë një punë, është qëllimi kryesor i këtij modeli. Ndaj, duke përfituar nga prania e shumtë e punëdhënësve në këtë aktivitet, ju ftoj për një bashkëpunim të qendrueshëm me zyrat tona të punësimit, si partnerin tuaj më të besuar.  Këto zyra, janë në shërbimin tuaj si ofrues të punës dhe krijues të punës dhe jam e bindur që nuk ndodhen mirë, kur sipërmarrje të suksesshme, veçanërisht në fushën e prodhimit, kërkojnë me qindra punëtorë të kualifikuar dhe nuk janë të afta t’ju përgjigjen.

Unë personalisht, do të ndjek me përparësi kërkesat tuaja jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës, Korçë, Elbasan, Lezhë, Shkodër, Gjirokastër, Berat dhe në të gjitha Qarqet e vendit.

 

Dhe për të kontribuar në zgjidhjen e ngërçit të mospërputhjes së ofertës tuaj për punë, me aftësitë e punëkërkuesve që u drejtohen Zyrave të Punës, atij togfjalëshit që rëndom i referohemi .... “mungojnë profesionistët”... pas 4 javësh do të çelim një tjetër Panair. Panairin e Arsimit dhe Formimit Profesional, ku do të promovohet interesi i djemve dhe vajzave shqiptare për profesione, për zanate që kërkon tregu i punës. Me shumë dëshirë, po ndaj me ju ftesën zyrtare, që ta vizitoni edhe atë panair, si një mundësi reale promovimi, jo vetëm për aftësitë, por edhe për punësim.

Vetëm lidhja organike, konkrete, direkte, midis sipërmarrjes që krijon vende pune dhe aftësimit profesional, të ndërmjetesuara nga tregu i punës – është zgjidhja konkrete për punësim të denjë, e vërtetuar edhe nga tregu evropian i punës.

Përpara, se ta mbyll dëshiroj të ndaj një mesazh veçanërisht për të rinjtë që hyjnë rishtas në tregun e punës. E kam shumë të freskët në kujtesë, herën e parë që jam intervistuar dhe akoma kujtoj emocionet e fillimit të një stadi të ri të jetës. Nuk është e lehtë, të jesh më i miri apo më e mira, por nëse besoni, këmbëngulni, kërkoni nga vetja dhe mësoni të doni atë që bëni, suksesi do të jetë miku juaj më i mirë.

Të nderuar, miq, ju siguroj, që Qeveria Shqiptare do të jetë përkrah jush në rritjen tuaj ekonomike, në zgjerimin e aktivitetit tuaj, duke sjellë edhe rritje të punësimit.

Punë të mbarë për të punësuar profesionistë të aftë dhe për të lidhur kontrata pune të reja në këtë Panair!