Postuar më: 01 Prill 2016

Reagim zyrtar nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, mbi rastin e dhunës në Shtëpinë e Foshnjes Durrës.

Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, vlerëson si tejet të rëndë e të patolerueshëm rastin e denoncuar në media, në Shtëpinë ë Foshnjes në Durrës. Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi, prej momentit të shfaqjes së pamjeve në media, urdhëroi marrjen e të gjitha masave për zbardhur në mënyrë të plotë ngjarjen dhe ndëshkimin e të gjithë personave përgjegjës.

 

Dhuna e ushtruar ndaj një fëmije në Shtëpinë e Foshnjes Durrës, përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të fëmijës, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Ligjin e Mbrojtes së të Drejtave të Fëmijës. Sikundër përbën shkelje edhe të Standarteve të Qendrës së Përkujdesit dhe e Kodit të Sjelljes së punonjësit në këto institucione.

 

Pushimi nga puna nga Bashkia Durrës i punonjëses Dafina Fama që ka shkaktuar dhunën dhe çuarja e saj për ndjekje penale nga policia e prokuroria, janë vetëm hapi i parë drejt zbardhjes së plotë të këtij rasti të rëndë dhe identifikimit të të gjitha përgjegjësive të drejtueses dhe stafit të këtij institucioni.

Ministri Klosi, urdhëroi menjëherë ngritjen e një grupi kontrrolli, i drejtuar nga Nëndrejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, i cili po kryen kontroll në këtë Qendër për të analizuar në thellësi rastin e ndodhur të dhunës, për të identifikuar qartë përgjegjësitë, jo vetëm të punonjëses së përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, por edhe të stafit të qendrës e drejtueses së saj.

 

Ministri i është drejtuar Bashkisë Durrës, me kërkesën e largimit gjithashtu të drejtoreshës së Shtëpisë së Foshnjes në Durrës, për përgjegjësinë e menaxhimit dhe drejtimit të stafit, si dhe përgjegjësinë për mirëqënien dhe sigurinë e femijëve.

 

Nga rasti i dhunës në Shtëpinë e Foshnjes Shkodër, prej korrikut të 2015, MMRS ka marrë masa për parandalimin e rasteve të tilla përmes testimit të punonjësve për njohuritë, si dhe për standartet, ku njëri prej elementeve ka te bëjë me parandalimin e dhunës.

 

Duke dënuar ashpër rastin e dhunës në Shtëpinë e Fëmijës në Durrës, Ministri Blendi Klosi garanton se do të vijojë puna për parandalimin e cdo rasti të ngjashëm dhe rikonfirmon tolerancën zero ndaj cdo keqtrajtimi apo abuzimi të fëmijëve, veçanërisht atyre në Qëndrat e përkujdesit.

 

Faleminderit!