Postuar më: 30 Nëntor 2016

Mbledhje e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, datë 30 nëntor 2016

NJOFTIM PËR SHTYP

 

Shkurtim i afateve të shërbimit ndaj qytetarëve përmes përshpejtimit të të procedurave të verifikimit dhe marrjes së vendimeve administrative për vjetërsinë në punë, si dhe shmangie e proceseve gjyqësore. Ky ka qenë thelbi i ndryshimeve që  Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore miratoi në mbledhjen e tij të datës 30 nëntor 2016, me Rregulloren “Për përbërjen, numrin dhe procedurën e funksionimit të Komisioneve të Ankimit pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore”.

 

Kryetari i këtij Këshilli, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, vuri theksin në rëndësinë që ka shmangia e disa problematikave të dokumentacionit mbi periudhat e vjetërsisë në punë, që deri më sot janë zgjidhur përmes rrugës së gjyqësorit. Miratimi i kësaj Rregulloreje i hap rrugën mjaft zgjidhjeve përmes procedurave administrative.

 

Sipas Drejtuesve të ISSH-së, pas këtij vendimi pritet të shtohen zgjidhjet e plota të ankesave të qytetarëve për njohjen e periudhave të sigurimit në strukturat rajonale të sigurimeve shoqërore dhe parashikohen afate më të shkurtra në marrjen e përgjigjeve e vendimeve, si rrjedhojë e lehtësimit të procedurave dhe saktësimit të kompetencave që do të kenë Komisionet që vlerësojnë dokumentacionin e vjetërsisë në punë.  

 

E veçanta e këtyre ndryshimeve është fakti se, ndahen qartësisht çështjet që do të shqyrtohen nga komisionet rajonale dhe strukturat qendrore të apelimit, nga ato çështje që do të shkojnë për zgjidhje në gjykatat e faktit, duke shkurtuar kështu me mbi tre muaj kohën e përgjigjes ndaj qytetarëve.

 

Gjithashtu, Këshilli Administrativ miratoi edhe  “Për disa shtesa dhe ndryshime në VKM nr. 409, datë  01.06.2016 “Për ngushtimin e diferencave në masën e pensioneve”, nëpërmjet të cilës do të shqyrtohen për të përfituar një shtesë nga përfituesit e pensioneve të dalë mes viteve 93-96, të cilët kanë punuar në punë shumë të vështira ose të vështira, siç janë disa punë në industrinë tekstile apo në metalurgji e naftë. Nga miratimi i këtij vendimi pritet të përfitojnë rreth 3000 pensionistë, gra që kanë bërë punë të vështira dhe minatorë, të cilët kanë dalë në pension të plotë apo pension të parakoshëm në në vitet 1993-1996.