Postuar më: 08 Dhjetor 2015

Fjala e ministrit Blendi Klosi mbajtur sot në shpërndarjen e kontratave të punës për 200 të rinj, që morën pjesë në programin e praktikave në administratë.

Edhe unë isha në 8 Dhjetor.

Edhe unë mora pjesë në mbrëmjen dedikuar vdekjes tragjike të John Lennon natën e 8 dhjetorit të vitit 1990.

Ajo javë e parë e dhjetorit 1990 mbahet mend edhe si java e REFLEKSIONEVE që organizonte në Institutin e Arteve Edi Rama së bashku me Ardian Klosin dhe Kapllan Resulin.

Për shumë nga ju sot në këtë salle, ndjesia e magjike e dëgjimit në publik e disa këngëve të ndaluara dhe për më tepër hedhja e disa parullave antiregjim, mbase nuk ka asnjë kuptim, por ne që e përjetuam atë natë në Institutin e Arteve, na krijoi një ndjesi të papërshkrueshme, që s’do më hiqet kurrë nga kujtesa.

Ajo mbrëmje u ndërpre pothuajse në mesin e saj, se të rinjtë në Qytetin Studenti u ngritën në protestë për të ndryshuar përgjithmonë rrjedhën politike të vendit tonë.

Por për arsye për të cilat unë jam gati të debatoj edhe sot, të nderuar miqtë e mi, unë nuk iu bashkova shokëve të mi studentë atë ditë në protestë, duke humbur kështu mundësinë që shumë rrallë të takon në jetë, që të isha edhe unë mes heronjve të 8 Dhjetorit.

Atë natë historike të 8 Dhjetorit, unë e humba mundësinë, sepse nuk isha pjesëmarrës. Nuk isha pjesëmarrës në një moment historik transformues.

Por sot, plot 25 vjet nga ajo natë e 8 dhjetorit ’90, historia na ka thirrur për të qenë pjesëmarrës në një moment tjetër historik, në momentin e ndërtimit të shtetit europian, të një administrate publike europiane, ndaj ndihem krenar që po marr fjalën në këtë Konventë të Profesionistëve më të Rinj të këtij shteti.

 

Të nderuar miq!

I nderuar zoti Kryeministër!

 

Ministria e Rinisë, në respekt të 8 Dhjetorit, një date të dallueshme historike në kalendarin tonë;

në respekt të ditës kur rinia, duke aspiruar lirinë, vlerat e një shoqërie demokratike dhe prosperitetin e vendit, përmbysi sistemin komunist; në respekt të një misioni të kryer me sukses, i cili sot duhet të na shtyjë më shumë drejt reflektimit dhe më pak drejt brohoritjeve e retorikës, organizoi në këtë 25-vjetor 25 ditë aktivitete për të nxitur në çdo aspekt të jetës së rinise sonë shpirtin e pjesëmarrjes.

Dhe realisht ndihem shumë mirë, ndihemi realisht shumë mirë kur shikojmë se sa shumë aktive dhe pjesëmarrëse është rinia shqiptare nga Veriu në Jug.

Kemi diskutuar në auditorë universitetesh sesi rinia universitare dhe ajo e organizuar në grupime civile të jenë pjesëmarrëse më aktive në implementimin e planit kombëtar të rinise, duke synuar realizimin e plotë të 6 objektivave strategjike:

Nxitja dhe pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrjet demokratike;

Nxitja e punësimit të të rinjve përmes politikave efektive të tregut të punës;

Shëndeti, sporti dhe mjedisi,

Edukimi i të rinjve,

Mbrojtja sociale, dhe padyshim

Kultura dhe vullnetarizmi.

Kemi biseduar shumë në këto 25 ditë për vullnetarizmin, duke konstatuar se me sa vullnet, dëshirë, kohë e mundësi të rinjtë shqiptarë përkushtohen në veprimtari të përditshme vullnetare. Me sa vullnet ndihmojnë të tjerët pa marrë asgjë materiale në këmbim, me sa vullnet ndihen pjesë e një komuniteti dhe të kontribuojnë për ta ndihmuar atë.

Sa ndihet prezenca vullnetare e të rinjve tanë pranë grupeve të margjinalizuara apo atyre të diskriminuara, të cilët e kanë të domosdoshme mbështetjen vullnetare të shoqërisë.

 

Së bashku me të rinjtë e komunitetit të personave me aftësi të kufizuara, kemi projektuar pjesëmarrjen e tyre më të madhe në jetën e përditshme, duke mënjanuar jo vetëm çdo barrierë fizike por edhe barrierë sociale, si stereotipat dhe paragjykimet shoqërore, të cilat shkaktojnë përjashtimin e personave me aftësi të kufizuara nga pjesa tjetër e shoqërisë.

 

Kemi projektuar së bashku me ta reforma të thella për një shoqëri që orientohet drejt integrimit të çdo individi, si dhe në dinjitetin dhe respektin e ndërsjellë.

 

Dhe vizioni ynë i përbashkët me ta shkon përtej përmirësimit të skemës aktuale, vizioni ynë synon t’u përafrohet modeleve të suksesshme të vendeve të Bashkimit Europian, ku edhe Shqipëria aspiron të aderojë.

 

Të nderuar miq !

Nuk jemi lodhur NE çdo ditë pa biseduar e projektuar sfidën tonë më të madhe për rininë: krijimin e më shumë shanseve për shkollim, formim dhe punësim.

Qeveria e Edi Ramës, ku unë kam nderin të jem pjesë si ministër i MMSR-së, e ka përcaktuar qartazi prioritetin e saj për punësimin e sa më shumë të rinjve.   

Ne kemi një strategji të qartë për rininë, për shkollimin dhe punësimin e saj. Ne realizuam me sukses reformën në arsim, e veçanërisht në arsimin e lartë. Ne hartuam Strategjinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive dhe po bëjmë reforma të thella në çështjet e punësimit, arsimit dhe formimit profesional, dhe të gjitha këto i adresohen në radhë të parë rinisë, për ta inkurajuar atë që të jetë pjesëmarrëse e zhvillimit social-ekonomik të vendit përmes botës së punës.

 

Ne jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë e sfidës, por dhe përpjekja jonë është plote energji, energji që kërkon pjesëmarrje, kërkon seriozitet, kërkon angazhim.

Orientimi ynë i vetëm është drejt PUNËS së DENJË!

 

Punë e denjë është të punosh me kushte të sigurisë e shëndetit në punë, të kesh një shpërblim të denjë që të mbash familjen, të jesh i siguruar për shëndetin dhe pensionin.

Kjo është kauza e qeverisë, është edhe kauza e profesionistëve të rinj.

 

Të nderuar kolegë, profesionistë më të rinj të shtetit shqiptar,

 

Në këtë ditë kaq të rëndësishme për historinë e vendit tonë, ne dëshmojmë përmes jush rezultatet konkrete të përpjekjeve tona të përbashkëta, në kuadër të zbatimit të programit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për praktikat në administratën publike, si pjesë e iniciativës së lançuar nga Kryeministri i vendit, për një administratë publike shqiptare të hapur drejt politikës dhe frymës së re. Mundësia që iu ofrua 1900 studentëve dhe studentëve për të zhvilluar praktikën pranë institucioneve administrative, duke ua njohur këtë periudhë kohore si përvojë pune, po konkretizohet sërish me punësimin në administratë të 200 praktikantëve, të cilët vullnetin dhe pasionin e treguar gjatë periudhës së praktikës e finalizuan duke dhënë më të mirën e tyre edhe gjatë konkurrimit sipas të gjitha kritereve ligjore, për të qenë pjesë e stafit administrativ.

 

Dhe ju jeni të parët, por nuk do të jeni të vetmit

    Nën përkujdesjen personale të kryeministrit Edi Rama, ky program do të vazhdojë përsëri, dhe që sot, nga kjo sallë ne lançojmë Programin e dytë Kombëtar të Praktikës së Punës pranë institucioneve publike, i cili do të përfshijë jo vetëm të rinjtë brenda kufijve të vendit tonë, por t’u japim mundësi edhe të rinjve të diasporës të fitojnë një përvojë punë në institucionet shtetërore shqiptare.

Për shtetin tonë kjo është një iniciativë që ka për qellim të rikthejë një pjesë të trurit, duke përfituar nga dijet, eksperiencat dhe idetë inovative që të rinjtë e diasporës mund të ofrojnë. Dhe për shumë të rinj shqiptarë që sot studiojnë jashtë vendit në shkollat më të mira, me rezultate të shkëlqyera, do të jetë një eksperiencë shumë e vlefshme njohja nga afër e institucioneve publike, të cilat po transformohen në institucione moderne, duke iu afruar modelit europian.

 

Kolegë,

Reformat janë shenja dalluese e qeverisë së Edi Ramës.

Për të bërë reforma ne kemi marrë mandatin e popullit.

Dhe se duam dhe po bëjmë shtet, ne duam që të mbahemi mend në historinë e këtij kombi.

Por ju e patë nga afër në këta tre muaj se sa e rëndësishme është prezenca e profesionistëve të rinj në administratën shqiptare, se sa administrata jonë ka nevojë për dijet tuaja, se sa nevojë ka ëndrra për një shtet europian, për një administratë europiane që ta shndërrojë në realitet.

Ndaj kontribuoni pa u lodhur që në ditën e parë të punës për transformimin europian të këtij vendi, sepse ky vend ka shumë nevojë për gjithsecilin nga ju.

Kontribuoni tani për shtetin më të ri europian, që mbas 25 vjetësh të keni mundësi t’i thoni gjeneratës tjetër, Po, unë isha pjesëmarrës në ditën kur u hapën negociatat.

 

Ju faleminderit

Edhe një herë, gëzuar festën!