Sigurimet shoqërore

Sigurimet shoqërore

Sistemi i sigurimeve shoqërore vuan nga probleme themelore. Midis tyre janë pensionet e ulëta me të cilat pensionistët nuk mund të përballojnë jetesën, raporti problematik kontribues-përfitues, koeficienti shumë i ulët i zëvendësimit pension - pagë dhe bllokimi i skemave të pensioneve suplementare, sidomos i atyre të profesioneve të vështira.

Do të realizojmë reformë në fushën e pensioneve, të përqendruar në konsolidimin e sistemit aktual të sigurimeve shoqërore. Reformë në fushën e pensioneve që kontribuon në zgjidhjen e problemit të papunësisë dhe informalitetit. Sigurim i raportit optimal midis përfitimeve maksimale e minimale, në nivele të qëndrueshme.

Fillimi i negociatave dypalëshe me shtetet e tjera për të arritur në një marrëveshje për të siguruar mundësinë e transferimit të sigurimeve shoqërore për emigrantët shqiptarë që kthehen në atdhe.

Do të zgjidhim ngerçin ligjor të pensioneve të ushtarakëve në lirim. Do të përcaktojmë të drejtat e tyre në bazë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Do të miratojmë statuset e profesioneve të vështira për të harmonizuar kontributet specifike me të drejtat e përgjithshme sociale.