Punësimi

Punësimi

Të dhënat vërtetojnë pohimin e pakundërshtueshëm se në Shqipëri janë 1 milion të papunë. Sipas të dhënave zyrtare në Shqipërinë e 2013 ka më  shumë se 51 mijë vetë më pak të punësuar se në vitin 2008. Rritja ekonomike relativisht e qëndrueshme e periudhës 2000-2008 nuk u shoqërua  me rritje të punësimit, zvogëlim të ekonomisë joformale, dhe zhvillim të kapitalit njerëzor. Qeveria e re do ta ndryshojë këtë tablo, duke ndryshuar strukturën e ekonomisë, nga një ekonomi e bazuar tek konsumi i mallrave të importuara, emigracioni e informaliteti në një ekonomi që bazohet tek puna dhe rritja e produktivitetit.

Angazhohemi të krijojmë 300 mije vende të reja pune. 40 mijë vende të reja pune në industrinë prodhuese dhe 12 mijë vende pune shoqëruese të lidhura me to, 15 mijë në industritë e lidhura me detin, 155 mijë në aktivitetet e lidhura me bujqësinë e blegtorinë, 62 mijë përmes reformimit të programit të ndihmës ekonomike, 11 mijë vende pune në industrinë e turizmit dhe 4 mijë vende të reja pune në teknologjinë e informacionit.

Riorientim tërësor i arsimit profesional drejt nevojave reale të tregut dhe kthim i shtetit në financuesin e mbështetësin kryesor të aftësimit profesional. Sistemi mbi të cilin kjo reformë do të bazohet është sistemi dual gjerman që karakterizohet nga një ndërthurje e mësimit teorik me punë praktike. Gjithashtu, kurset dhe arsimi profesional do të zgjerohen edhe në zonat rurale për t'i dhenë nxitjen e nevojshme industrisë agro-përpunuese.

Do të trajnohen me përparësi të gjithë punë-kërkuesit e regjistruar nën moshën 25 vjeçare. Po ashtu edhe të gjitha grave dhe vajzave të regjistruara si punë-kërkuese brenda një viti dhe trainimin brenda dy-vjeçarit të parë të të gjithë punë-kërkuesve të regjistruar.

Në bashkëpunim me sektorin privat në partneritete publike-private do të krijojmë shkollat e larta të arsimit profesional.

Do të ndërtojmë Agjensinë Kombëtare të Punësimit, si një njësi me buxhet dhe administrim  autonom, e cila do të do mbledhë në një dhe do të rikonceptojë sipas praktikave më të mira modernizimin e zyrave të punës, sistemin e sigurimeve të punësimit, programin e nxitjes së punësimit dhe trajnimet profesionale.

Do të rinisim dialogun e munguar prej kohësh me sindikatat pë të rikthyer kulturën e tri-partizmit mes shtetit, punëdhënësve e punëmarrësve cka do të rijetësojë edhe Këshillin Kombëtar të Punës si një instrument themelor në hartimin e politikave të punësimit, pagave e përfitimeve sociale.

Angazhohemi të përgjysmojmë papunësinë e regjistruar femërore dhe të rrisim aksesin e Personave me Aftësi të Kufizuar në punësim përmes programeve dhe kurseve kualifikuese të përshtatura për personat me aftësi të  kufizuara.