Postuar më: 31 Mars 2017

Ustai i Qytetit tim, në Panairin e Punës 2017

Rikthimi i profesioneve të humbura në vend, një mundësi reale punësimi dhe ruatjes së traditës!

 

Në ditën e tretë dhe të fundit të Panairit të Punës, u mbajt takimi me zejtarët e Tiranës, në kuadër të promovimit të ligjit të zejeve. Ky takim, paraprin ngritjen e Dhomës Kombëtare të Zejeve, në Panairin e Aftësive, që do të zhvillohet në javën e fundit të muajit Prill. Ministrja Ekonomi, e cila kryesoi këtë takim, nënvizoi bashkëpunimin e fortë të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me Ministrinë e Zhvillimit të Ekonomisë dhe Turizmit, për hartimin e një ligji që përkrah dhe mbështet ruatjen e traditës në tregun e zejeve. Sipas znj. Ekonomi, tregu i zejeve është një e ardhme shumë e rëndësishme pë tregun e punës në tërësi dhe ndihmon për të kuptuar më mirë punësimin. Por për ta bërë këtë, shtoi Ministrja duhet ti stimulojmë e të krijojmë mundësi reale, për të gjithë ata zejtarë që punojnë në këtë drejtim, me qëllim që të trashëgojnë aftësitë e tyre. Në aspektin ekonomik dhe të kontributeve, Ministrja përmendi faktin se, 90-95% të kontributeve në buxhetin e shtetit, e japin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndaj edhe duhen promovuar fuqimisht zejtarët e vendit. Në mbyllje, Ministrja i drejtoi një thirrje ndërmarrjeve të mëdha për të rritur angazhimin dhe përgjegjëshmërinë sociale, duke mbështetur zejtarët dhe artizanatin në vend!