Postuar më: 03 Prill 2017

Sipërmarrjet rinore - idetë fituese financohen me vlerën prej 500,000 Lekë të reja!

Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, znj. Olta Xhaçka mori sot pjesë në çeljen e fazës së re të programit “Zhvillimi i Aftësive për Punësim”. Ky program është një  nismë e përbashkët e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe mbështetet nga Ministria se Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Synimi i prgramit është të mbështesë të rinjtë  nga mosha 18-30 vjeç, që kanë  vision dhe ide inovatore për të ndërtuar biznesin e tyre. Kjo, do arrihet duke I trainuar të rinjtë mbi format e vetëpunësimit,  këshillimin gjatë gjithë fazave të programit dhe mbështetjes financiare.  Idetë më të mira do të transformohen në biznese të qendrueshme.

Ministrja Xhaçka: Idetë që do shpalosen sot, janë pjesë e një nisme vetë-punësimi dhe sipërmarrjeje.

Ministrja Xhaçka: Çështja e punësimit nuk mund të jetë e lidhur gjithmonë me administratën dhe shërbimin civil por edhe me nevojën për të nxitur gjithnjë edhe më shumë iniciativën private.

Ministrja Xhaçka: Vetëm duke nxitur punësimin përmes iniciativës private, do të kemi punësim më shumë por edhe zhvillim ekonomik më të qendrueshëm.

 

Ministrja Xhaçka: Efektet e sipërmarrjes në Shqipëri janë të dukshme.

 

Ministrja Xhaçka: Stadi i zhvillimit në të cilin jemi, nxjerr në pah dhe nevojën për nxitjen e sipërmarrjes me anë të ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të institucioneve publike për idetë e reja, inovatore dhe që sjellin jo vetëm vetë-punësim, por kanë gjithashtu dhe një potencial të lartë për punësim dhe vlerë të shtuar në ekonominë e vendit.

Ministrja Xhaçka: Idetë që do shpalosen sot, janë pjesë e një nisme vetë-punësimi dhe sipërmarrjeje.

Ministrja Xhaçka: Të rinjtë vijnë nga e gjithë Shqipëria dhe ata që do të kalojnë provën e fundit, do të  përfitojnë pas regjistrimit të biznesit të tyre, 500,000 lekë të reja.

 

Më poshtë fjala e plotë e Ministres:

Mirëmëngjes dhe falemnderit të gjithëve që na e zbukuruat ditën sot, me idetë tuaja të jashtëzakonshme, shumë interesante dhe shumë novatore për sipërmarrjet tuaja rinore.

Besoj që gjithnjë e më tepër, jemi të gjithë të ndëergjegjshëm që çështja e punësimit nuk mund të jetë e lidhur gjithmonë me administratën dhe shërbimin civil sikundër dëgjojmë gjithmonë, por edhe me nevojën për të nxitur gjithnjë edhe më shumë iniciativën private dhe mendoj se kjo duhet të jetë pikë së pari një detyrim i qeverisë pa diskutim por edhe vetëdije e të gjithëve ne, sepse vetëm duke nxitur punësimin përmes iniciativës private, do të kemi punësim më shumë por edhe zhvillim ekonomik më të qendrueshëm.

Qeveria Rama dhe ministria që unë drejtoj, është duke ndërmarrë një sërë reformash të thella në sektorin social – në fushën e punësimit, formimit profesional, mbrojtjes dhe përfshirjes sociale. Emëruesi i përbashkët i të gjithë këtyre reformave, është nxitja dhe aktivizimi i fuqisë punëtore nëpërmjet hartimit të politikave efektive dhe lehtësimit të  pjesmarrjes në tregun e punës për grupet në nevojë.

Efektet e sipërmarrjes në Shqipëri janë të dukshme. Por mbështetja nga shteti ka qenë deri tani në nivele politikash dhe lehtësime proceduriale dhe fiskale.

Stadi i zhvillimit në të cilin jemi, nxjerr në pah dhe nevojën për nxitjen e sipërmarrjes me anë të ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të institucioneve publike për idetë e reja, inovatore dhe që sjellin jo vetëm vetë-punësim, por kanë gjithashtu dhe një potencial të lartë për punësim dhe vlerë të shtuar në ekonominë e vendit. Dhe ky aktivitet sot, është dëshmi e faktit që ne i kemi kthyer sytë nga kjo nevojë, si partnerë dhe përfitues në programe si ky sot.

Zhvillimi i një kulture sipërmarrëse, është kyç për krijimin e një shoqërie të aftë jo vetëm për tu përballur me sfidat e të përditshmes, por edhe për të përfituar sa më shumë nga konkurueshmëria e ekonomisë globale, ndaj unë e përgëzoj këtë nisëm sot dhe idetë tuaja tejet inovatore.

Idetë që do shpalosen sot, janë pjesë e një nisme vetë-punësimi dhe sipërmarrjeje. Gjatë fazës aktuale  të programit të vetëpunësimit rreth 300 të rinj dhe të reja nga e gjithë Shqipëria kanë aplikuar, 100 prej të cilëve tashmë kanë përfunduar trainimin për programin e vetë-punësimit.  Sot, 20 prej tyre dhe në ditët në vijim 40 të tjerë, do të kenë mundësinë të prezantojnë idetë e tyre përpara një paneli profesionistësh.  Të rinjtë vijnë nga e gjithë Shqipëria dhe ata që do të kalojnë provën e fundit, do të  përfitojnë pas regjistrimit të biznesit të tyre, 500,000 lekë të reja.

I lexova thuajse të gjitha idetë, dhe janë ide që sjellin ndryshim, prandaj pa frikë mund të them që janë revolucionare dhe duhen marrë seriozisht!!!

 

P.sh. ideja e Ervinit nga Gjirokastra për superheroin virtual Publer-in, të gjithë kemi nevojë për një ndihmës  të tillë.

Apo ideja e Dianës për të krijuar një hapësirë multifunsionale, një kafe-librari në Kamëz me motivimin se nuk ka një hapësire të tillë kulturore në atë zonë.

Ose Erda, e cila kërkon të lehtësojë jetën e personave me aftësi ndryshe, duke zhvilluar një aplikacion që u  mundëson atyre komunikim me botën nëpërmjet teknologjisë.

Emiliani nga Fishta, që e ka pasion kujdesin për bletët dhe kërkon të shtojë kosheret e tij për të prodhuar më shumë mjalt bio nëpërmjet këtij programi.

Eligersi me idenë e tij fantastike për të prodhuar  sapun me metoda artizanale, i cili do të ruajë në mënyre optimale vetitë e lëndëve të para bio-organike, kryesisht prodhim vendi, si vaj ulliri, esenca etero-vajore të bimëve medicinale që ne i kemi me shumicë në vendin tonë etj.

Nje ide tjetër ishe ajo e BAR biçikletës së lëvizsshme, ideja e Ergysit. Biçikleta bar kafe, është e pajisur me panele diellore për furnizimin me energji dhe një helikë, e cila do të shërbejë për të furnizuar me energji mjetet dhe pajisjet e nevojshme të punës. Produktet kryesore të biznesit do të jenë kafe 100% organike, çokollatë me mana, fruta të thata dhe bazë 100% kakaoje, smoothies me bazë qumështi, kosi dhe akullore, lëngje frutash, si edhe alfajor (një ëmbëlsirë tipike e Amerikës Jugore) me miell, mjaltë, bajame dhe kanellë.

E shumë ide të tjera, që për shkak të kohës nuk i përmend dot të gjitha. A nuk janë këto ide fanastike? Absolutisht po! Dhe jam shumë e lumtur që e nis javën me këtë hapësirë kaq krijuese, që u jep mundësi të rinjve nga e gjithë Shqipëria të lenë shenjën e tyre në botën e sipërmarrjes inovatore të së ardhmes.

Një ditë edhe ime bijë do jetë në moshën tuaj dhe po të më pyesni tani se çfarë do ti thoja për veten dhe për botën, më vjen në mendje një pasazh nga musical-i Hair:

 

Ji e lirë,

Bëhu ajo që ti je,

Bëj atë që dëshiron dhe të bën të ndihesh mirë për sa kohë nuk lëndon askënd.

Dhe mos harro, unë jam gjithmonë këtu për ty.

Me këtë mesazh qëndroj me ju sot dhe dëshiroj të më konsideroni aleaten tuaj.

Dhe sa herë të ëndërroni botën ku doni të jetoni, ëndërrojeni me zë të lartë.

Unë jam e bindur që ndryshimi është i mundur dhe këtë mund ta bëjmë bashkë.