Postuar më: 08 Shkurt 2017

Nënshkruhet Pakti i Mirëqënies Sociale mes Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Bashkive Durrës, Shijak dhe Fushë Krujë.

Nënshkruhet Pakti i Mirëqënies Sociale mes Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Bashkive Durrës, Shijak dhe Fushë Krujë. Pakti i  nënshkruar në Qëndrën e re Zhvillimore të Durrësit,  ka në thelb kalimin e kompetencave nga pushteti qëndror tek ai vendor për shërbimet.

Pakti Kombëtar I Mirëqënies Sociale është duke u nënshkruar me të gjithë kryetarët e bashkive në vend, që ligji I ri për shërbimet sociale  I ngarkon me detyrimin dhe përgjegjësinë të ngrenë shërbime për cdo kategori në nevojë, familjet në ndihmë ekonomike, njerëzit me aftësi të kufizuar, fëmijët, moshën e tretë, gratë, ish viktimat e dhunës e trafikimit etj.

Deri tani ngritja e shërbimeve është bërë   nga pushteti qëndror, ai vendor, organizatat joqeveritare apo shoqëria civile, por asnjëherë nuk ka patur një organizim të përbashkët të të gjitha institucioneve për të rritur burimet financiare, ato njerëzore dhe kapacitetet administruese.

Pakti përvec transferimit të kompetencës së menaxhimit të shërbimeve, do të sigurojë edhe bashkimin e të gjitha këtyre përpjekjeve në një.

Kjo do të sigurojë - tha minisitri Klosi- që në cdo territor, në cdo komunitet  të ketë shërbime për kategoritë e ndryshme në nevojë.

Cdo bashki është e detyruar tashmë të hartojë dhe miratojë planin social të territorit që administron. Bashkia e Durrësit është e para që e ka hartuar tashmë këtë plan, e cila u prezantua gjatë këtij aktiviteti.

Kjo bashki do të ngrejë disa qendra të reja, në zbatim të këtij plani të miratuar.

“ Shërbimet do të ofrohen edhe në territoret më të largëta me qëndrën e kësaj bashkie” – deklaroi kryetari I Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

 

 

                           Fjala e plotw e ministrit Klosi

Jemi fiks në vendin ku ne mund të diskutojmë për paktin social. Eshtë një institucion krejtësisht I ri, një përpjekje e përbashkët e të gjithë aktorëve dhe faktorëve që duhet të punojnë për më shumë mirëqenie sociale. Kjo qendër e re ditore është bërë në një investim të bashkisë për banesat sociale, e krijuar nga dy institucione të cilat janë përfaqësues të shoqërisë civile “Save the Children” dhe “Qendra për Jetën”, të cilët kanë bërë të mundur që ky institucion të funksionojë dhe është e monitoruar dhe ndjek politikat e ngritura nga shërbimi social.

 

Jo më kot zgjodhëm këtë ambient për të folur për mirëqenien sociale, për të folur për një Pakt të Mirëqenies Sociale, i cili duhet të jetë kryefjala e një qeverisje, duhet të jetë kryefjala e një pushteti qendror dhe lokal, duhet të jetë kryefjala e një debati të madh publik që ne duam të bëjmë në Shqipëri.

Cdo të thotë Mirëqenie Sociale, kush janë parimet dhe kriteret me të cilat ne flasim për Mirëqenie Sociale në Shqipëri, kush janë standartet që ne themi që ne po punojmë për mirëqenie sociale.

 

Përpjekje ka shumë, ka përpjekje që vinë nga pushteti qendror, ka përpjekje që vinë nga pushteti lokal, ka përpjekje që vinë nga donatorë të ndryshëm apo partner të institucioneve tona, po këto përpjekje nuk kanë qenë asnjëherë të bashkërenduara, në mënyrë që të krijohej një mbulim më I mirë me shërbime në të gjithë territorin e vendin. Ka zona të tëra në Shqipëri ku nuk ofrohet asnjë shërbim për kategoritë në nevojë. Kjo duhet të marrë fund.

 

Sot vimë në Bashkinë e Durrësit, ku kemi një plan të mirëfilltë social nga Bashkia e Durrësit, bashki e cila mbas reformës territoriale mori një territory shumë më  të madhea Bashkia tashmë ka më shumë kapacitete, ka më shumë mundësi financiare, ka më shumë staf dhe në fund të fundit ka më shumë detyrim për një plan të vërtetë social në bashkinë e re. Sot jemi në një produkt të vërtet decentralizimi, ku Bashkia e Durrësit merr përsipër që të bëjë një analizë totale të nevojave dhe specifikave që ka kjo bashki dhe ne sot firmosim së bashku me kryetarin e Bashkisë së Durrësit marrëveshjen për një pakt të mirëqenies sociale, kush janë detyrimet e institucionit qendror për të bërë politika dhe për të ofruar mundësi edhe financiare dhe kush janë detyrimet dhe përgjegjësitë që Bashkia e Durrësit merr për të ndërtuar këtë rrjet të Mirëqenies Sociale.

Po të shikojmë shifrat dhe faktet realisht kuptojmë se sa larg standarteve ne jemi.

 

Në qoftë se flasim për 61 bashkitë e vendit, në 28 prej tyre sot nuk kemi asnjë shërbim social, jo në të gjitha kemi shërbim për njerëzit me aftësi të kufizuar , jo në të gjitha kemi shërbime për njerëzit që kanë nevojë për dorën e shtetit. Nuk po flasim pastaj për shërbime për moshën e tretë apo për viktimat e dhunës, apo për fëmijët në situatë rruge.

 

Detyra jonë është që të kemi një panoramë me detaje të situatës që ndodhet vendi ynë.

 

Detyra jonë kryesore në këtë projekt është që ne të kuptojmë qartazi seku shërbimet bazë ofrohen dhe ku kemi mundesi që ti ofrojmë më shumë. Po të shohësh Qarkun e Durrësit ka 15 shërbime të ndryshme sociale në kuadër të këtyre kategorive që unë fola.

Po të shkojmë në Bashkinë e Shijakut edhe pse ka 27 mijë banorë dhe ka 584 persona me aftësi të kufizuar ka vetëm katër njësi që merren me përkujdesjen.  Shumë shpejt në Shijak do të bëjmë dhe inagurimin të një qendre super moderne për trajtimin e personave me aftësi të kufizuar, por përsëri shikojmë që kemi mangësi të këtyre shërbimeve. Po të shikojmë Bashkinë e Krujës, e cila ka 60 000 banorë, 510 familje me ndihmë ekonomike kemi vetëm katër shërbime nga kjo bashki, përkatësisht për fëmijët në nevojë, për të moshuarit, për personat me aftësi të kufizuar.

 

 

Ajo që ne do të firmosin sot dhe ajo që paraqiti drejtoresha e Bashkisë së Durrësit realisht dëshmon se ka ardhur koha se biseda për shërbimin social duhet të jetë bisedë primarë në shoqërinë tonë. Dimensioni social edhe pse në të tre bashkitë është zhvilluar, përsëri është larg bërjes së një debati të vërtetë publik se cdo të thotë standart I mirëqenies sociale, cdo të thotë shërbimi që ofron pushteti lokal dhe si mundet bashkërendimi I pushtetit qendror me fondet, krijimi I fondeve social ku bashkia do të kontribojë, qeverisja qendrore nga buxheti I shtetit do të kontriboj dhe partnerët e përpjekjes sonë do të kontribojnë të ketë mundësi që në Shqipëri do të ketë një hartë të shërbimeve sociale kudo ku ato janë të nevojshme.

 

Kryetarët e Bashkive kur kandidojnë, kur debatojnë me publikun më shumë flasin për rrugë, shkolla, infrastrukturë por unë mendoj se dhe shërbimi karshi njerëzve në nevojë padyshim do duhet të jetë një debat I dorës së parë dhe unë kam bindjen se me firmosjen që po bëjmë sot ne kemi shënuar një hap në kuadër të shërbimeve që ofrojnë qytetarët: Deklarohemi publikisht se kush janë problemet, se kush janë përgjrgjësitë dhe kush janë premtimet tona karshi qytetarëve të cilët ne do duhet ti shërbejmë.

 

Shumë faleminderit ekspertëve që janë marrë me këtë me këtë Pakt të mirëqenies sociale, është modeli I parë që ne duam ta implementojmë në të gjitha bashkitë e vendit dhe modeli është shumë mirë kur është cilësor që në fillim  dhe natyrisht modeli do duhet të riplikohet në shumë e shumë bashki të tjera të cilat janë pjesë e këtij debati social që ne kemi me faktorë të ndryshëm.

 

Ju faleminderit!