Postuar më: 17 Maj 2017

Ditë të Hapura - Dyer të Hapura

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë organizoi sot në kuadër të ditës ndërkombëtare kundër homo dhe transfobisë, ditën e hapur me dyer të hapura për aktorët kryesorë të lëvizjes LGBTI në Shqipëri, ku diskutuan mbi prioritetet që ka lëvizja LGBTI në Shqipëri, si dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe të koordinimit më mirë të të gjithë aktorëve përgjegjës, për zbatimin e Planit të Veprimit për personat LGBTI në Shqipëri.

 

Ministrja Xhaçka: Sot kemi një legjislacion më efikas kundër diskriminimit.

 

Ministrja Xhaçka: Sot, të drejtat e LGBTI-ve diskutohen publikisht.

 

Ministrja Xhaçka: Diskriminimi ndaj LGBTI-ve nuk lëndon vetëm njerëzit, por dhe familjet, edhe gjithë shoqërinë, sepse kështu tkurrim individin, cënojmë në mënyrë të pakuptimtë potencialin dhe kapitalin njerëzor, për të cilin sot kemi nevojë më shumë se kurrë.

 

Ministrja Xhaçka: Kjo ditë e hapur me dyer të hapura në Ministri dhe në institucionet e varësisë, me qëllim që ne të parët të shprehim hapur mbështetjen për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe për komunitetin LGBTI në veçanti.

 

Ministrja Xhaçka: Për arritjen e qëllimeve dhe objektivave të Planit kombëtar të veprimit për personat LGBTI, janë parashikuar ndërhyrje në disa nivele duke përfshirë: zhvillime legjislative, përafrimin e politikave dhe strategjive me qëllim përfshirjen e këtij komuniteti në çdo fushë, ngritjen dhe ofrimin e shërbimeve të standardizuara, trainimin e stafeve profesionale dhe ofruesve të shërbimeve, si dhe të aktorëve që merren me edukimin/informimin dhe ndërgjegjësimin publik, me një fokus të veçantë tek OJF-të që punojnë për të drejtat e njeriut.

 

Në lidhje me synimet e MMSR, Ministrja Xhaçka u shpreh se rezultatet që priten në vazhdim lidhen me përmirësimin e shërbimeve dhe komunikimit në sektorë të rëndësishëm, siç ështe arsimi, shëndetësia, policia, gjykata, prokuroria.

 

Konsolidimi i shërbimeve miqësore për komunitetitn LGBTI, kërkon bashkëpunim të fortë me pushtetin vendor dhe në marrim përsipër, që ky bashkëpunim jo vetëm të forcohet, por edhe të shoqërohet me plane konkrete që shkojnë në favor të komunitetit.

 

Në fund, Ministrja ftoi pjesëmarrësit të jeni pjesë e grupeve të punës, që Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të ngrejë, për rritjen e kapaciteteve të punëdhënësve dhe eleminimin e diskriminimit në vendin e punës.