Postuar më: 12 Prill 2017

Dita Ndërkombëtare e fëmijëve në situatë rruge

 

12 Prilli, Dita Ndërkombëtare e fëmijëve në situatë rruge

 

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, organizoi sot aktivitetin në kuadër të 12 Prill-it, Ditën Ndërkombëtare të fëmijëve në situatë rruge.

Ministrja Xhaçka: Pse fëmijë në situatë rruge edhe pse familjet e tyre e dinë për shërbimet e qendrave ditore? Sepse shërbime ka, por përsëri preferojnë të rrinë në rrugë.

Ministrja Xhaçka: Përgjigje e menjëhershme ndaj nevojave dhe parandalimi i hershëm. Ne duhet ti gjejmë fëmijët në rrugë para se ti gjejnë abuzuesit!

Ministrja Xhaçka: Të ndryshojmë perceptimet e autoriteteve lokale.

Ministrja Xhaçka: Peshën kryesore në mbrojtjen e fëmijeve në rrezik, përfshirë dhe atyre në situatë rruge e mbajnë Punonjësit e Mbrojtjes së Fëmijëve pranë bashkive.

Ministrja Xhaçka: Është shumë inkurajuese që Bashkia Tiranë e ka zbatuar me përpikmëri ligjin e ri të fëmijëve.

Ministrja Xhaçka: Në nivel qendror do forcojmë bashkëpunim me departamentet respektive të gjithë ministrive për të influencuar hartimin e politikave dhe të sigurojmë mbështetjen e qeverisë.

Ministrja Xhaçka: Impakti i Mirëqenies sociale, është realiteti që duhet të përqafojnë të gjithë ata që kanë nevojë për mbrojtje dhe shërbime.

Ministrja Xhaçka: Përpjekja jonë pozitive për ngritjen e një rrjeti të qendrueshëm qendrash ditore, i cili sot mbushi 1 vjeç, është një gur i parë, në themelet e një sistemi të plotësuar me të gjitha shërbimet që  nevojiten mbrojtjes së fëmijëve.

 

Disa të dhëna për fëmijët në situatë rruge:

  • Janë hartuar dhe zyrtarizuar Plane Lokale për fëmijë në situatë rruge në 7 bashki (Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Shkodër, Vlorë dhe Korcë)
  • Janë ngritur 24 skuadra terreni për identifikim dhe referim të rasteve të fëmijëve në sitautë rruge
  • 578 raste të identifikuara në situatë rruge
  • 431 raste të menaxhuara (ofruar shërbime, largim nga situate e rrugës, monitorim)
  • 107  prindër të punësuar në periudhën qershor 2015 – dhjetor  2016
  • 234 fëmijë të regjistruar në shkolla në vitin shkollor 2016 - 2017
  • 88 fëmijë të regjistruar në kopshte në vitin shkollor 2016 - 2017
  • 29 shfrytëzues  të referuar për ndjekje penale qershor 2015 – dhjetor 2016
  • 15 raste të regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile qershor 2015 – dhjetor  2016
  • 12 fëmijë të vendosur në Institucion Rezidencial ( 2016 – 2017)

 

Fjala e plotë Ministres :

Në një ditë si kjo, preferoj të bëj një thirrje për reflektim dhe veprim. Sot është një moment i rëndësishëm për të analizuar çfarë kemi bërë dhe çfarë mund të bëjmë më shumë dhe më mirë?

 

Dhe pyetja që me vjen në mëndje është: e kujt është përgjegjësia?

E Qeverisë?

E MMSR?

E Bashkisë?

E Policisë?

E prokurorisë?

E punonjësve socialë?

E shoqërisë?

E prindërve?

 

Përgjigjia ime është: e të gjithëve! Sikur një nga ato që përmenda më sipër, të mos e kryejë detyrën e vet me profesionalizëm, me përgjegjshmëri dhe dedikim ne do vazhdojmë të kemi fëmijë në situatë rruge.

Është sfidë të eleminosh fenomenin e fëmijëve në situatë rrugë. Është ende sfidë për shumë vende në botë, ndaj dhe për ne nuk do të jetë e lehtë.

Fëmijët janë në rrugë për shkaqe të ndryshme, për shkak të varfërisë, dhunës, abuzimit dhe neglizhimit. Fëmijët të cilët kanë jetuar për një kohë të gjatë në rrugë dhe që ndihen të pranuar nga “banorët” e rrugës formojnë familjen e tyre, formojnë botën e tyre. Fatkeqësisht, rruga është i vetmi realitet që njohin.

Shpesh mund të kemi pyetur veten, pse fëmijët në situatë rruge edhe pse familjet e tyre e dinë për shërbimet e qendrave ditore? Sepse shërbime ka, por përsëri preferojnë të rrinë në rrugë.

Kam vënë re, se fëmijët në situatë rruge dhe familjet e tyre, në vend që të ankohen për jetën e tyre, ata përforcojnë elementët që i bëjnë të ndihen mirë në rrugë. Mbase mendojnë se jeta në rrugë, është më mirë se jeta që shumëkush bën brenda kornizave.  Problemet kalohen më  lehtë dhe trajtohen me humor, kështu krijohet një doktrinë që “është më mirë jeta e rrugës”, një filozofi e ndërtuar për ta bërë jetën më të tolerueshme mbase.

Por në fakt, jeta në rrugë është  e përbërë nga dhuna e fshehur ose e dretjpërdrejtë, nga nëpërkëmbja dhe vetmia.

Fëmijët duhet ta lënë këtë realitet dhe duhen ndihmuar në këtë tranzicion!

Është i vështirë ndryshimi. Sa prej nesh, i është dashur të ndryshojnë shtëpi apo punë dhe e ka përjetuar me shumë stres?

Mendoni pak sa e vështirë është të ndryshosh realitetin tënd, të vetmin që ke njohur?!

Dhe nuk po them se kjo do të ndodhë brenda një dite, as brenda një jave dhe as brenda një muaji.

Duhet kohë, por unë e kam të qartë se rruga nuk mund të jetë një vend ku një fëmijë rritet në mënyrë pozitive. Ndaj dhe këtë sfidë do ta kapërcejmë së bashku, jam e bindur se së bashku mundemi.

Aleati im kryesor në këtë sfidë është familja, pa familjen dhe pa u bindur se rruga nuk është realiteti i fëmijëve nuk do mund tja dalim.

Në situatën që jemi, tre janë drejtimet kryesore që mendoj se duhet të përqafojmë të gjithë:

---Përgjigje e menjëhershme ndaj nevojave dhe parandalimi i hershëm, si dhe duke siguruar gjithë informacionin mbi faktorët e shumëfishtë që i tërheqin apo i nxjerrin fëmijët nga rruga. Ne duhet ti gjejmë fëmijët në rrugë para se ti gjejnë abuzuesit!

Familja është partneri ynë kryesor për të arritur mirëqënien e fëmijëve, duhen gjetur dhe zgjidhur shkaqet e mosfunskionimit të familjeve, duhen aplikuar procedurat dhe metoda gjithëpërfshirëse të fëmijëve dhe anëtarëve të familjes.

 

---Në nivel vendor: të ndryshojmë perceptimet e autoriteteve lokale. Ti bëjmë fëmijët të dukshëm në komunitetet ku jetojnë, tu japim mundësinë të fitojnë aftësi për jetën, të ndihen të dobishëm.

Të ndihen ata që janë, aktorë thelbësorë socialë në shoqëri me një potencial vullkanik.

Peshën kryesore në mbrojtjen e fëmijeve në rrezik, përfshirë dhe atyre në situatë rruge e mbajnë Punonjësit e Mbrojtjes së Fëmijëve pranë bashkive. Është shumë inkurajuese që Bashkia Tiranë e ka zbatuar me përpikmëri ligjin e ri të fëmijëve. Të gjitha bashkitë e tjera do ta kenë më të lehtë tani sepse e kanë një shembull, dhe nganjëherë vuajmë vetëm për shembullin e mirë, ndaj bujrum të gjitha bashkive në zbatimin e ligjit të ri të fëmijëve.

---Në nivel qendror do vazhdojmë punën kërkimore, do thithim ekspertizën më të mirë dhe do forcojmë bashkëpunim me departamentet respektive të gjithë ministrive për të influencuar hartimin e politikave dhe të sigurojmë mbështetjen e qeverisë.

Grupet e disavantazhuara si fëmijët në situatë rruge, kanë pak akses në shërbime për të cilat kanë nevojë dhe kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në situatën e tyre shëndetësore dhe në zhvillimin e tyre.

Situata është shumë fertile. Jemi dëshmitarë të shumë ndryshimeve pozitive që po ndodhin, ndaj dhe ju meritoni të jeni pjesë e këtyre ndryshimeve. Impakti i Mirëqenies sociale, është realiteti që duhet të përqafojnë të gjithë ata që kanë nevojë për mbrojtje dhe shërbime. Aleanca dhe bashkëpunimi me partnerët dhe shoqërinë civile, është kritike për të plotësuar hendeqet e të kaluarës. Përpjekja jonë pozitive për ngritjen e një rrjeti të qendrueshëm qendrash ditore, i cili sot mbushi 1 vjeç, është një gur i parë, në themelet e një sistemi të plotësuar me të gjitha shërbimet që  nevojiten mbrojtjes së fëmijëve.

Koordinimi dhe ndarja e përgjegjësive, ka qenë gjithmonë thembra e Akilit, por ligji i ri i fëmijëve na e lehtëson punën të gjithëve, me këtë ligj në dorë nuk ka më justifikime mbi përgjegjësitë, duhet vetëm të bëjmë detyrën tonë me përkushtim.

Jam njohur me punën për fëmijët në situatë rruge, jam njohur me raste të vështira, për të cilat ende vazhdon puna, jam njohur dhe me raste të sukseshme.  Di, që ka shumë fëmijë që deri dje ishin në situatë rruge, sot janë të regjistruar në gjendje civile, që do të thotë kanë të drejtë të marrin të gjitha shërbimet që ofron shteti, janë në shkollë apo kopshte, që kanë marrë kujdesin shëndetësor të nevojshëm, që prindërit e tyre kanë filluar punë.

431 fëmijë e kanë ndryshuar realitetin e tyre vitin e fundit, unë mendoj se nuk janë pak por duhet të bëjmë më shumë.

 

Jeta është një shans që të jepet vetëm një herë, mënyra si e jetojmë atë është çështje mundësish dhe zgjedhjesh. Mundësitë janë më të mira sot, për fëmijët në situatë rruge dhe familjet e tyre. Ndaj prindër, zgjidhni realitetin e duhur për fëmijët tuaj.

Zgjedhja ime si ministre, si nënë, si grua, si politikane është të jem në gjendje t’u jap mundësinë të ndërtojmë së bashku një realitet tjetër për një jetë më të mirë.

Pyetini fëmijët tuaj çfarë dëshirojnë? Çfarë duan të bëhen në të ardhmen dhe e fillojmë nga vizoni i tyre.

Por dhuratën e parë, për këtë filozofi të suksesshme, sigurisht e meritojnë heronjtë që nuk tërhiqen çdo ditë për të sjellë më shumë mbrojtje dhe kujdes për fëmijët, të gjithë ju që nuk u tërhoqet dhe sot jeni familja e madhe e tyre…Për rrjetin shqiptar të qendrave për fëmijët në situatë rruge! Gëzuar dhe faleminderit!