Postuar më: 11 Shkurt 2017

5 laboratorë të rinj për shkollën profesionale "Hysen Cela" në Durrës

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë z. Blendi Klosi ishte në Shkollën  Profesionale “Hysen Cela” Durrës, ku inaguroi 5 laboratorët e rinj të kësaj shkolle, investim i Ministrisë së Mirëqënies Sociale prej 150 milion lekësh.

Për herë të parë në këtë shkollë është hapur dega e detarisë, duke u shoqëruar me laboratorin më të ri të kësaj dege, që është kthyer në një nga më të kërkuarat për nxënësit e viteve të para.

Mësuesit e kësaj shkolle, thanë se deri më sot, mësimi ishte zhvilluar vetëm në pjesën teorike, duke bërë që nxënësit të mbaronin një degë profesionale por pa mësuar zanatin.

Ministri Klosi, vuri theksin tek mundësitë janë shtuar tashmë në shkollat e arsimit profesional, të cilat janë të gjitha duke u pajisur me laboratore, ku tashmë nxënësit mund të marrin zanatin përmes praktimit.

Z. Klosi vuri theksin tek risitë që do të sjellë ligji i ri i arsimit profesional që pritet të kalojë të enjten e kësaj jave në kuvend.

Shkollat transferohen në njësi autonomi financiare. Me të ardhurat nga produktet e pregatitura nga vetë nxënësit, mund të shkojnë për investime, rritje të kapaciteteve, apo edhe rritje të pagave të mësuesve.

 

“ Transferimi i shkollave tona në qendra multifunksionale të cilat mund ti menaxhojnë vetë burimet financiare, do të shënojë një hap krejtësisht cilësor në transformimin e arsimit tonë profesional,  nga një edukim në një mekanizëm ekonomik që mund të ndryshojë jetën e shumë qytetarëve të vendit tonë. Me ligjin e ri ju mund të shisni, të fitoni të ardhurat, me të ardhurat të investohet më shumë në bazë prodhuese, mësuesit do të paguhen më shumë, e kështu me rradhë . Unë ndihem shumë mirë që ky laborator është realisht modern dhe tregu i Durrësit dhe më gjërë se kaq ka kuptuar vlerën e këtyre nxënësve, djem edhe vajza, sepse punësimi i tyre është thelbi i reformës sonë” – deklaroi ministri Klosi.

 

                          Fjala e ministrit Klosi

 

Këtë shkollë ne  e kemi një nga modelet e shkollave tona të ekselencës. Transformimi i shkollës nga një shkollë hoteleri-turizmi në një shkollë e orientuar drejt ekonomisë së detit ka bërë të mundur që shumë më tepër nxënës të zgjedhin këtë shkollë.

Në  1 shtator të vitit 2016 u regjistruan plot 450 nxënës, duke dyfishuar kapacitetin e shkollës dhe duke na shprehur qartazi nevojën që kjo shkollë ka për hapësira. Po ashtu në këtë shkollë ne po inagurojmë pesë laboratorë të cilët e shikojnë ekonominë e detit në shumë këndvështrime, sic është ky laborator për marinarët e rinj, natyrisht një laborator i ri për ata të cilët do  shërbejnë hoteleri-turizmin  e detit por dhe të tokës dhe po ashtu laboratorët e në degëve specifike.

 

Ajo që ne do të kërkojmë në vitin 2017 dhe në vazhdim pas miratimit të ligjit për Arsimin Formimin Profesional është që qendra të tilla si shkolla "Hysen Cela" të jenë qendra trajnimi jo vetëm për nxënësit por edhe për të gjithë ata që duan që në profilin e marinarit dhe të gjithë zanatet që kanë lidhje me detin të jenë të kualifikuar, të profesionalizuar dhe natyrisht të mirëpaguar. Nxënësit e  kësaj shkolle kur mbarojnë shkollën e  mesme, tashme edhe me ndryshimin e kurrikulave kanë mundësinë  që të punësohen në të gjithë industrinë navale e cila funksionon në detin Adriatik.

Kjo shkollë është simboli se si duke transforuar kurrikulat dhe duke shtuar laboratoret ne mund të kemi punonjës më të kualifikuar në industrinë  e detit.

 

 

Jemi në një nga laboratoret i cili padyshim mbas ligjit të ri të Arsimit dhe Formimit Profesional që do miratohet këtë javë,  mund të shndërrohet në një mekanizëm ekonomik për shkollën " Hysen Cela". Produktet e këtij laboratori tashmë mund të jenë të vlefshme për treg dhe me financat e grumbulluara nga vetë shkolla, shkolla do të ketë mundësinë që jo të rrisë vetëm vlerën e vet monetare, por të ketë mundësinë që me buxhetin  e krijuar të paguhen më mirë laboratoret, të kenë më shumë bazë prodhuese shkolla dhe natyrisht e gjithë trupa pedagogjike të jetë më mirë e trajnuar dhe më mirë e paguar.

 

Transferimi i shkollave tona në qendra multifunksionale të cilat mund ti menaxhojnë vetë burimet financiare, do të shënojë një hap krejtësisht cilësor në transformimin e arsimit tonë profesional,  nga një edukim në një mekanizëm ekonomik që mund të ndryshojë jetën e shumë qytetarëve të vendit tonë. Me ligjin e ri ju mund të shisni, të fitoni të ardhurat, me të ardhurat të investohet më shumë në bazë prodhuese, mësuesit do të paguhen më shumë, e kështu me rradhë . Unë ndihem shumë mirë që ky laborator është realisht modern dhe tregu i Durrësit dhe më gjërë se kaq ka kuptuar vlerën e këtyre nxënësve, djem edhe vajza, sepse punësimi i tyre është thelbi i reformës sonë.