Postuar më: 03 Gusht 2016

Shkolla verore për diasporën, program i Ministrisë së Diasporës së Kosovës

Ministri Klosi mori pjesë në hapjen e shkollës verore për diasporën, program i ministrisë së diasporës së Kosovës.  Nisma është vijim i procesit të dimensionit të ri të bashkëpunimit mes të rinjve shqiptarë kudo ata jetojë apo punojnë. Ministri Klosi deklaroi se nga të dyja qeveritë shqiptare, diaspora konsiderohet si një dhe e bashkuar! “Andaj së bashku me ministin Murati jemi duke hartuar dhe zbatuar programe të përbashkëta për diasporën e kryesisht të rinjt tanë nëpër botë! “  - deklaroi ministri Klosi.

Ministri i diasporës së Kosovës z. Valon Murat deklaroi se nisma “ Ti je pjesë e atdheut” është vazhdimësi e programeve për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, si dhe shoqërimin e tyre me nxënës nga Kosova e Shqipëria”

Në kuadër të manifestimit “Dita e Diasporës”, në Prishtinë, Ministria e Diasporës mbajti ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Mërgimtari i vitit” dhe “Gazetari me shkrimin/kronikën ose emisionin më të mirë për diasporë. Ministri Klosi në dhënien e këtij cmimi, vlerësoi të tilla iniciativa si tejet të rëndësishme për të mbajtur kontaktet me njëri – tjetri, për të ruajtur lidhjen e shqiptarëve të diasporës me tokën e tyre.

Nisma “Ti je pjesë e Atdheut” ishte vijim i një tjetër projekti të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës për të rinjtë, intershipit në administratën publike që këtë vit për herë të parë u bë në bashkëpunim me Kosovën.

Gjatë vizitës në Prishtinë, Ministri  Blendi Klosi takoi gjithashtu  ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi. Me z. Abrashi, ministri Klosi  diskutoi për lejet e punës së qytetarëve shqiptarë që duan të punojnë në Kosovë dhe anasjelltas.  U ra dakort që së shpejti mes dy shteteve, të nënshkruhet edhe marrëveshja përkatëse. Përfundimi i procesit të njohjes së pensioneve ishte një tjetër temë diskutimi mes z. Klosi dhe z. Abrashi.