Postuar më: 23 Qershor 2017

Shkelje të konstatuara në shpërndarjen e ndihmës ekonomike.

NJOFTIM PËR SHTYP

Shkelje të konstatuara në shpërndarjen e ndihmës ekonomike.

Me urdhër të Ministres së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Znj. Xhulieta Kërtusha, më datë 07.06.2017 u ngrit grupi i punës për kontrollin mbi përdorimet e fondeve të ndihmës ekonomike në Qarkun e Korçës.

Nga Kontrolli i ushtruar në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Sociale Shtetëror, (DRSHSSH) Korçë u konstatuan një sërë shkeljesh ligjore në mënyrën e përdorimit të fondeve të ndihmës ekonomike.

Shkelja më e rëndë e konstatuar është mungesa e listave emërore të përfituesve të ndihmës ekonomike në këtë qark, për një periudhë prej 4 muajsh. Ky fakt përbën shkelje të Udhëzimit Nr.3, Datë 17.02.2017, të ndryshuar, të Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, ku kërkohet që vendimet e këshillave bashkiakë për përfituesit e ndihmës ekonomike të shoqërohen me listat emërore të përfituesve.

Mungesa e listave të familjeve që përfitojnë nga ndihma ekonomike ngre dyshime për keqmenaxhim financiar, shpërdorim të detyrës apo korrupsion nga ana e punonjësve të përfshirë në proces.

Nisur nga këto të dhëna Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë i ka kërkuar Ministrisë së Financave, nisjen urgjent te inspektimit financiar. Gjithashtu, nisur nga dyshimi se mungesa e listave të përfituesve, dhe mos afishimi i tyre është bërë për të favorizuar individë në mbështetje të fushatës zgjedhore për subjekte të caktuara politike.

Problematika të ngjashme janë vërejtur edhe në Qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, për të cilat po bëhen verfikimit e nevojshme përpara se të merren masat përkatëse.

MMSR do të marrë masat e nevojshme për të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e institucioneve në varësi, të cilët kanë toleruar shkeljet ligjore në përdorimin e fondeve të ndihmës ekonomike.