Video

"Modernizim i sistemit për pension të konsoliduar për të gjithë"
28 Mars 2014

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, mori pjesë sot në analizën vjetore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si dhe vizitoi ambientet e reja moderne të Arkivës Qendrore të ISSH-së. I shoqëruar nga Drejtoresha e ISSH-së, znj. Vjollca Braho, ministri Veliaj theksoi se Arkiva Qendrore e Sigurimeve Shoqërore është shembulli më i mirë i punës së këtij institucioni për përmirësimin e administrimit dhe dixhitalizimin e regjistrave.

"Kur flasim për pensionet, njerëzit kërkojnë siguri nga shteti shqiptar që për atë çfarë kanë kontribuar ndër vite ta marrin siç e meritojnë. Por, kërkojnë edhe inovacion, pra kalimin nga një shtet burokrat me letra e dosje të vjetra, në një shtet modern, të dixhitalizuar. E në fund, kërkojnë progres se si ne si shtetas e trajtojmë moshën e tretë", theksoi z. Veliaj që në hyrje të fjalës së tij.

Sipas tij, arsyeja pse MMSR fokusohet në sigurinë e pagesave dhe inovacionin e sistemit, është sepse qëllimi final i qeverisë është të sjellë progres në shoqëri. "Dua ta them që në fillim se Sistemi i Sigurimeve Shoqërore aktualisht gjendet në udhëkryqin e zhvillimit të tij. Është e qartë se shpeshherë rritja e pensioneve është bërë mbi mundësitë ekonomike, e pa mbuluar nga mbledhja e kontributeve, duke u përdorur në funksion të politikës, çka e ka rënduar qëndrueshmërinë fiskale të sistemit", tha ai, gjatë analizës së ISSH-së.

Nga ana tjetër, z. Veliaj theksoi disa nga problematikat që lidhen me sistemin në përgjithësi, qëndrueshmërinë financiare të tij dhe nevojën për ndërmarrjen e reformave të shpejta, cilësore dhe afatgjata, si dhe nevojën për modernizimin e mëtejshëm të tij, përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe të administrimit të tij.

"Numri i kontribuesve në sistem është ende mjaft i ulët, ndërkohë që shmangja nga pagesat reale të kontributeve llogaritet të jetë ende e lartë. Në këto kushte, një nga detyrat urgjente është reformimi i sistemit të Sigurimeve Shoqërore, modernizimi i tij me synim formulimin e një sistemi pensionesh të konsoliduar, bashkëkohor, të qëndrueshëm financiarisht, të drejtë dhe që ofron mbrojtje sociale të qëndrueshme për të gjitha shtresat", u shpreh ministri.

Një tjetër shqetësim është edhe fakti se financimet nga buxheti për sistemin e përgjithshëm të sigurimeve shoqërore janë shumë të larta duke u bërë pengesë për zhvillimin ekonomik. Ndërkohë, difiçiti financiar i degës së pensioneve ka arritur në rreth 1.6% të PBB dhe me tendencë të dukshme drejt përkeqësimit.

Në Arkivën Qëndrore të Sigurimeve Shoqërore janë mbledhur shumica e dokumentave të vjetërsisë në punë, nga të gjitha Drejtoritë Rajonale dhe njëkohësisht është duke u punuar për të dixhitalizuar vjetërsinë në punë që nga viti 1945 dhe deri në ditët e sotme. Aktualisht, ka përfunduar dixhitalizimi i regjistrave të gjithë ish-koperativave bujqësore, dhe po punohet për hedhjen e të dhënave të vjetërsisë në punë për ndërmarrjet shtetërore.

Ky proces, i thjeshtë në dukje, kalon në disa faza; grumbullimi i dokumentacionit, dezinfektimi i tij, çertifikimi i çdo flete dhe faqe, krijimi i kopjes dixhitale nëpërmjet skanimit dhe hedhja e të dhënave në sistemin e ngritur për këtë qëllim. Përfitimi i qytetarëve në nivel të përgjithshëm nga funksionimi i kësaj arkive është i madh, sepse rritet siguria e ruajtjes fizike të dokumentacionit në letër, krijimi i arkivës së imazheve nëpërmjet skanimit, krijimi i arkivës dixhitale ose në alfabetin alfanumerik, si dhe shmangja e abuzivizmit me këto dokumenta.

Si rezultat i dixhitalizimit, dhënia e dokumentave të vjetërsisë në punë për qytetarët jepet në një kohë shumë të shkurtër dhe të saktë. Ndërkohë, sot përmes kësaj arkive i shërbehet qyetarëve në kohë të shkurtër për verifikimin e vjetërsisë kontributive për lidhjen e pensioneve dhe përfitimeve të tjera.