Video

Ministri Veliaj prezanton skemën “Shqipëria Solidare” në Durrës
07 Qershor 2014

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, prezantoi sot në qytetin e Durrësit skemën “Shqipëria Solidare” për dixhitalizimin e Ndihmës Ekonomike. Në fjalën e tij, ministri Veliaj theksoi se në të kaluarën pagesa e ndihmës ekonomike nuk ka shkuar gjithmonë tek njerëzit në nevojë për shkak të abuzimeve të mëdha.

“Pyetja është: A e kanë marrë realisht nevojtarët pagesën e ndihmës ekonomike? Apo u ka kaluar atyre që kanë ngjitur posterat e fushatës elektorale sepse një kryetar komune apo minibashkie e shpërndan me Këshillin Bashkiak për të fituar ca vota? Më rezulton se e vërteta ka qenë kjo e fundit; pra se ndihma ekonomike nuk ka shkuar gjithmonë për ata që janë në nevojë”, tha z. Veliaj.

Ai shpjegoi se kemi dy mundësi: e para, të veprohet me strategjinë e muajve të parë të qeverisjes, kur Shërbimi Social Shtetëror kontrolloi skemën e ndihmës ekonomike dhe dërgoi në Prokurori të gjithë abuzuesit; së dyti, duke e modernizuar skemën.

“Po ta modernizojmë skemën e ndihmës ekonomike dhe nëse vendimet i merr një kompjuter dhe jo bosi politik në cilindo cep të Shqipërisë, atëherë garantojmë vendime më të drejta që vijnë nga një sistem, i cili automatikisht provon nëse ke një pronë, nëse ke regjistruar një makinë apo nëse ke një llogari bankare”, u shpreh ministri Veliaj.

Sipas ministrit Veliaj, dixhitalizimi i skemës i dekurajon ata njerëz, të cilët në kushte të tjera do të përpiqeshin të abuzonin. Nga ana tjetër, ai u shpreh se duke filluar nga ky muaj, ndihmën ekonomike do ta marrin vetëm gratë, si dhe do t’u jepet një bonus familjeve që shkollojnë dhe vaksinojnë fëmijët e tyre.

Projekti i mbështetur nga Banka Botërore ka të bëjë me ngritjen e Regjistrit Elektronik të përfituesve të Ndihmës Ekonomike dhe ndihmon në uljen e abuzimeve dhe rritjen e transparencës me këtë skemë. Risitë e këtij sistemi elektronik kombëtar të dhënash janë: përfshirje sociale më e gjerë e kategorive në nevojë; rritje të transparencës; rritje të cilësisë së shërbimit të ofruar për ndihmën ekonomike; shmangie të rasteve të abuzimit me skemën e ndihmës ekonomike dhe sistem pikëzimi për vlerësimin e ndihmës ekonomike.