Bardhylka KOSPIRI

Zv. Ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

Bardhylka KOSPIRI

Kontakt: Kabineti@sociale.gov.al

Bardhylka Kospiri, lindur në Tiranë më 18 korrik 1955, është e martuar dhe ka dy fëmijë. Më 1974 mbaroi shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi” në Tiranë dhe në vitet 1974-1978 studioi në Universitetin Ching-Hua, në Pekin, në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Nga viti 1978-1993 punoi si inxhiniere në Institutin e Projektimeve Industriale nr.4 në Tiranë dhe në vitet 1993-2002 si konsulente private në kompani të ndryshme projektimi.

Në vitet 1998-2000 ajo ishte Anëtare e Bordit të Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara; 2000 – 2013 u angazhua në një sërë projektesh dhe raportesh të këtij Fondacioni, si drejtuese për Programin e advokatisë, Programit të fuqizimit të grave me aftësi të kufizuara, Programit të nxitjes së punësimit të të rinjve me aftësi të kufizuara. Znj. Kospiri është bashkëautore në një sërë Raportesh dhe Studimesh në fushën e aftësisë së kufizuar në lidhje me aksesin, edukimin, punësimin për personat me aftësi të kufizuara, etj.

Në vitet 2006 – 2008 ishte anëtare e Këshillit Administrativ të Shërbimit Kombëtar të Punësimit; lektore, e ftuar për çështjet e aftësisë së kufizuar në Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin Polis, Shkollën e Magjistraturës; anëtare në grupe pune për ndryshime ligjore në lidhje me planifikimin e territorit, përmirësim të Kodit Zgjedhor, Dispozitat Arsimore.

Gjithashtu ka marrë pjesë në shumë trajnime, seminare dhe konferenca brenda dhe jashtë vendit, si në Hungari, Irlandë, Hollandë, Spanjë, Maqedoni, Strasburg, Sh.B.A, Greqi, Itali, Çeki, ku ka qenë e përfshirë si pjesëmarrëse, trajnere apo referuese. Ka shërbyer si konsulente për organizata ndërkombëtare si OSBE, GTZ, UNDP, CARITAS, ILO, IRI, etj. Pjesëmarrëse aktive në panele të ndryshme në radio dhe TV për të adresuar çështjet e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Në vitin 2009, ajo është fituese e programit “Bota e Ndryshimit” të Fondacionit Vodafone Albania. Në vitin 2010 fitoi çmimin e dhënë nga Ambasada e SH.B.A në Tiranë, “Grua Kurajoze”, si dhe nga Bashkia e Tiranës “10 personalitetet më të shquara të vitit”. Zotëron gjuhën angleze dhe kineze.