Xhaçka Olta

Ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

Xhaçka Olta

Znj. Olta Xhaçka, lindi në Tiranë në 25.12.1979. Ajo ka përfunduar studimet e larta me titull nderi në Shkenca Politike dhe ato pasuniversitare për Administrim Publik nga Clark University në Massachusetts të ShBA-ve.  

Përpara angazhimit të saj politik, znj. Xhaçka ka qenë pjesë aktive e  shoqërisë civile, në fushën e të drejtave të njeriut dhe mirëqeverisjes dhe ka punuar si lektore e shkencave politike në Universitetin e New York Tirana.

Prej vitit 2009, znj. Xhaçka është përfaqësuese e Qarkut të Korçës në Kuvendin e Shqipërisë dhe pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Prej vitit 2014, ajo drejton Nënkomisionin për Çështjet e të Miturve, Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje dhe është anëtare e Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë.

Znj. Xhaçka, është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste, Kryetare e Forumit të Gruas të Partisë Socialiste që prej vitit 2010 dhe drejton  Fondacionin Qemal Stafa që nga viti 2015.