Kërtusha Xhulieta

Ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

Kërtusha Xhulieta

Znj. Xhulieta Kërtusha lindi në Durrës në 09.06.1979. Ajo ka përfunduar studimet e larta në Universitetin Politeknik të Tiranës, pranë Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike. Studimet pas universitare  i ka zhvilluar pranë të njëjtit universitet me fokus “Menaxhimin e energjisë dhe vlerësimin e projekteve për investime në energji”, “Platforma kompiuterike për analizën dinamike dhe statike të sistemit elektroenergjetik”, “Operimi i sistemeve elektrike të fuqisë në kushtet e tregut të energjisë”.

Gjatë karrierës së saj profesionale, 12 vjeçare  ajo ka punuar në Koorporatën Energjitike Shqiptare dhe Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ish-"CEZ Shpërndarje", si Drejtoreshë e Furnizuesit Publik me Shumicë dhe Drejtoreshë e Njësise së Blerjes së Energjisë dhe Zhvillimit Rajonal të Tregut.

Znj. Kërtusha ka marrë pjesë gjithashtu si anëtare e grupit të punës të Ligjit të ri të Sektorit të Energjisë Elektrike dhe Modelit të ri të tregut të Energjisë Elektrike. Së fundmi Znj. Kërtusha ka mbajtur pozicionin e Menaxheres  së Operimit të Hidrocentraleve të kompanisë  “STATKRAFT” në Shqipëri.