Postuar më: 26 Shkurt 2014

“AFTËSI MË TË LARTA DHE PUNË MË TË MIRË PËR TË GJITHË FEMRAT DHE MESHKUJT”

STRATEGJIA KOMBËTARE PËR PUNËSIM DHE AFTËSI 2014-2020

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë prezantoi sot në ambientet e fabrikës së xhamit “All Glass shpk”, “Strategjinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014-2020”, si një strategji sektoriale për punësimin dhe kualifikimin në vend, me një dimension të përfshirjes sociale. Kjo është hera e parë që sektorë si arsimi profesional, formimi profesional dhe punësimi bëhen bashkë në një dokument strategjik për zhvillimin e aftësive dhe rritjen e mundësive për punësim.

Disa nga synimet kryesore të strategjisë janë:

a) Rritja deri në 10% e numrit të grave dhe burrave që marrin pjesë në programe të punësimit;

b) Rritja deri në 55% e numrit të të punësuarve pas pjesëmarrjes në masat e nxitjes së punësimit, ku 75% e tyre do të jenë gra;

c) Rritje e fondeve të investuara për masat e nxitjes së punësimit rreth 2 herë, deri në 0.032% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

d) Rritja e numrit të meshkujve dhe femrave që ndjekin programe të AFP-së, nga 14.2% deri në 25%;

e) Rritja e shkallës së punësimit të të diplomuarve nga arsimi professional, deri në 40%, nga të cilët 25% të jenë vajza;

f) Rritja e shkallës së punësimit të pjesëmarrësve në kurset e shkurtra të formimit profesional në 55%, nga të cilët 75% të jenë femra;

g) Rritja e numrit të përfituesve nga ndihma sociale të përfshirë te programet e nxitjes së punësimit në 10% të numrit total të pjesëmarrësve në programet e nxitjes së punësimit;

h) Krijimi i Fondit të Punësimit dhe Kualifikimit;

i) Krijimi i mekanizmave më të mirë për monitorimin dhe vlerësimin e rezultateve të arsimit dhe kualifikimit profesional dhe të tregut të punës;

j) Rritja e përfshirjes së biznesit në drejtimin dhe financimin e sektorëve.

Dokumentet e bashkangjitur