Postuar më: 10 Qershor 2014

Shkalla e punësimit gjatë vitit 2013

Shkalla e punësimit gjatë  vitit 2013 pati një rënie prej 11.2% krahasuar me një vit më parë. Pothuajse gjysma e të punësuarve (3 nga 7) ishin pjesë e një ndër pesë sektorëve kryesorë të ekonomisë: industria përpunuese, ndërtimi, arsimi, tregtia me shumicë e pakicë, si dhe administrata publike. 

Shkalla e punësimit për personat në moshë pune pati një rënie të theksuar gjatë tre tremujorëve të parë të 2013. Ajo zbriti nga 54.5% në T1-2013 në 48.5% në T4-2013.

Ritmi i rënies së shkallës së punësimit ishte i ndryshëm nga tremujori në tremujor gjatë vitit të shkuar. Nga tremujori i parë në të dytin të 2013 punësimi u ul me mbi tre pikë përqindje. Ndërkohë që nga tremujori i tretë në të katërtin e 2013, ritmi i rënies ishte 0.3% duke dhënë shenjat e para të stabilitetit. 


Ritmi i rënies së punësimit për femrat ishte më i lartë se ai i meshkujve duke zbritur nga 47.3% në T1-2013 në 40.7% në fund të T4-2013. Për meshkujt, shkalla e punësimit u ul nga 61.6% gjatë T1-2013 në 57% në fund të T4-2013. Megjithatë, nga T3-2013 në T4-2013 

vërehet një rritje e lehtë e shkallës së punësimit të meshkujve me një pikë përqindje. Papunësia e të rinjve mbeti problem për shumicën e vitit 2013. Vetëm tremujorin e fundit të vitit u panë përmirësime në shkallën e punësimit të të rinjve nga mosha 15 deri 29 vjeç.

Nga T1 deri T3 të 2013 punësimi i të rinjve ra me mbi pesë pikë përqindje, nga 32.8% në fillim të vitit 2013, në 27.4% në fund të tij. Veçanërisht rënia e punësimit vërehet tek femrat. Shkalla e punësimit të kësaj kategorie ra nga 28.8% në 21% brenda 2013. Ndërkohë që tek meshkujt patëm thyerje të trendit në tremujorin e fundit. Nga tremujori i parë në të tretin, shkalla e punësimit ra me 8.6%. Ndërkohë që në tremujorin e fundit të vitit u vu re një përmirësim i ndjeshëm prej tre pikë përqindje rritje. 

Zyrat e Punës


Në afatin kohor nga 1 Janari deri më 25 prill 2014, Zyrat e Punës kanë pritur 106.208 punëkërkues të papunë.

Prej tyre, 24.285 kanë zgjedhur të regjistrohen për të marrë shërbime e nevojshme për t’u ri-integruar në tregun e punës. Sipas ndarjes gjeografike, dallohen Tirana, Fieri, Durrësi dhe Lezha, si qytete të cilat kanë pasur një vrull regjistrimesh në Zyrat e Punës.

Gjatë kësaj periudhe, Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka kontaktuar me mbi 15.204 punëdhënës për të ndërmjetësuar vende pune të lira. Nga ky kontakt janë evidentuar paraprakisht 9.070 vende të lira pune. Gjithashtu, 1.928 punëkërkues të papunë janë drejtuar drejt Qendrave të Formimit Profesional për të kryer kurse trajnimi të profesioneve të ndryshme. 

Sektori Privat

Në fund të vitit të kaluar, numri i kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore, nga sektori privat, ishte 278.853. gjatë këtij viti sektori privat shtoi 10.864 kontribuues në skemë. 

Për vitin 2014, deri në fund të muajit Shkurt, totali i kontribuuesve në skemën e sigurimeve nga ana e sektorit privat arriti në 303.956 persona. Krahasimisht me Dhjetorin e 2013, në skemë janë shtuar 25.103 nga ky sektor i ekonomisë. Ndarë sipas kategorizimeve, gjatë muajve Janar dhe Shkurt të 2014 kemi 13.955 kontribuues të rinj që punojnë në firma biznesi dhe 11.148 të vetëpunësuar të rinj. 

Dokumentet e bashkangjitur