Postuar më: 10 Qershor 2014

Pagesat për aftësinë e kufizuar

Ministria e Mirqënies Sociale dhe Rinisë ka për mision, ndërmjet të tjerash, garantimin e të drejtave kushtetuese për mbrojtjen sociale të familjeve dhe individëve.

Këtë e bën duke zhviluar politika që synojnë mbrojtjen, promovimin, integrimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies sociale të individëve, familjeve dhe komuniteteve në nevojë.

Pagesa për Përsonat me Aftësi të Kufizuar përbën një nga programet e Mbrojtjes Sociale, që jepet në formën e një pagesë mujore në para individëve, të cilëve i është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimit fizik, shqisor, të intelektit, psikiko-mendor, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje të përkohshme ose të përhershme, të cilat nuk vijnë nga shkaqe që lidhen me punësimin. Në të njëjtin kuadër u jepet shtesë mujore në para edhe inavlidëve të punës që përfitojnë pension invaliditeti.

Kërkesa dhe dokumentacioni për të përfituar pagesë për personat me aftësi të kufizuar paraqiten tek administratori shoqëror në njësitë e qeverisjes vendore.

Kategoritë përfituese të pagesës së aftësisë së kufizuar duhet të vlerësohen nga komisione mjekësore sipas rastit:

  • Paraplegjikët dhe tetraplegjikët, deklarohen me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha.
  • Të verbërit deklarohen me vendim të Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të verbërisë.
  • Personat me aftësi të kufizuar deklarohen me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë.
  • Invalidët e punës deklarohen me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë.

Personat përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar, të cilët me vendim të komisioneve mjekësore të posaçme përcaktohen se kanë nevojë për përkujdesje, përfitojnë edhe një kujdestar me pagesë. 

Njësitë e pushtetit lokal janë përgjegjëse për analizën e nevojave për pagesat e aftësisë së kufizuar. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, nëprëmjet Shërbimit Social Shtetëror është përgjegjës për programimin dhe kontrollin e përdorimit të fondeve.

Pagesat për aftësinë e kufizuar në shifra

Në vitin 2013, për pagesat e aftësisë së kufizuar, janë alokuar 15,558,000,000 Lekë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Numri i përfituesve të aftësisë së kufizuar për vitin 2013 ka qenë 168,574 persona.

Graf. 1 Fondet e aftësisë së kufizuar, të shprehur si % në total, sipas kategorive të ndryshme. (Për invalidët e punës bëhet fjalë për shtesën mbi pensionin e invaliditetit)

Graf. 2 Numri i përfituesve të aftësisë së kufizuar, i shprehur si % në total, sipas kategorive të ndryshme. (Për invalidët e punës bëhet fjalë për shtesën mbi pensionin e invaliditetit)