Postuar më: 27 Maj 2014

Ndihma ekonomike

Ministria e Mirqënies Sociale dhe Rinisë ka për mision, ndërmjet të tjerash, garantimin e të drejtave kushtetuese për mbrojtjen sociale të familjeve dhe individëve.

Këtë e bën duke zhviluar politika që synojnë mbrojtjen, promovimin, integrimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies sociale të individëve, familjeve dhe komuniteteve në nevojë.

Ndihma Ekonomike përbën një nga programet e Mbrojtjes Sociale, që jepet në formën e një pagesë mujore në para për familjet dhe individët që kanë më shumë nevojë për mbështetje nga shteti.

Aplikimi për ndihmë Ekonomike bëhet pranë komunës apo bashkisë ku familja ose individët në nevojë kanë gjendjen civile. Punonjësi përgjegjës për marrjen e kërkesës është administratori shoqëror.

Ndihmën ekonomike mund ta përfitojnë:

  • familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme;
  • jetimët të cilët nuk janë në institucione; prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;
  • viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre;
  • viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

Mbi bazën e aplikimeve dhe legjislacionin në fuqi për përfitimin e Ndihmës Ekonomike, këshillat e njësive të pushtetit lokal marrin vendim për listën e familjeve dhe individëve në nevojë përfitues, si dhe masën e Ndihmës Ekonomike që këto do të përfitojnë.

Njësitë e pushtetit lokal janë përgjegjëse për analizën e nevojave dhe përzgjedhjen e përfituesve për Ndihmë Ekonomike. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, nëprëmjet Shërbimit Social Shtetëror është përgjegjës për programimin dhe kontrollin e përdorimit të fondeve.

Ndihma Ekonomike në shifra:

Në vitin 2013, për pagesat e Ndihmës Ekonomike për familjet dhe individët në nevojë, janë alokuar 3,843,000,000 Lekë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Shënim:Burimi i numrit të familjeve gjithsej është marrë regjistri i gjendjes civile.

 

Projekti për Modernizimin e Ndihmës Ekonomike në qarqet pilot Tiranë, Durrës dhe Elbasan

Në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan është duke u zbatuar projekti i Modernizimit të Ndihmës Ekonomike, i cili ka për qëllim rritjen e shënjestrimit dhe përfshirjes së familjeve në nevojë.

Projekti është në kuadër të marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit të modernizimit të asistencës sociale.

Huaja jepet në formën e 17 (shtatëmbëdhjetë) pagesave të cilat disbursohen në bazë të përmbushjes së treguesve të përcaktuar në marrëveshje.

Risitë kryesore të projektit lidhen me përdorimin e teknologjisë së informacionit nëpërmjet ngritjes së Regjistrit Elektronik të Ndihmës Ekonomike dhe përdorimin e formulës së pikëzuar për përzgjedhjen e përfituesve.

Implementimi i këtyre dy instrumenteve të reja është bërë me asistencën teknike të Bankës Botërore.

Regjistri Elektronik i Ndihmës Ekonomike lidh në rrjet njësitë e pushtetit lokal, Shërbimin Social Shtetëror, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe institucionet të tjera si Drejtoria e Përgjithshme e Gjëndjes Civile, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, si dhe institucione të tjera që zotërojnë informacionin e nevojshëm për vlerësimin ekonomik, demografik dhe social të aplikuesve.

Aplikimi për Ndhmë Ekonomike në qarqet e pilotuara bëhet vetëm nëpërmjet Regjistrit Elektronik. Mbas mbarimit të afateve për dorëzimin e aplikimeve, bëhet verifikimi i kryqëzuar i dokumentacionit të paraqitur dhe informacionit të dhënë nga aplikuesit. Familjet në nevojë që rezultojnë me dokumentacion dhe informacion të rregullt vlerësohen nëpërmjet formulës së pikëzuar, e cila rendit në listë familjet në nevojë të përzgjedhura për përfitimin e Ndihmës Ekonomike. 

Fig. Procedurat për aplikimin dhe përzgjedhjen e familjeve në nevojë përfituese të Ndihmës Ekonomike

Formula e pikëzuar është një formulë e vazhdueshme me 44 variabla, që përfshin parametra të lidhur në mënyrë empirike me vlerësimin e situatës ekonomike të familjeve, të tilla si: kushtet e jetesës, zotërimi i pasurive, të ardhurat nga remitancat. Formula e pikëzuar merr parasysh karakteristikat e ndryshme strukturore të familjeve urbane dhe rurale, në zonat bregdetare, fushore, malore dhe në Bashkinë e Tiranës. 

Dokumentet e bashkangjitur